E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët dhe PS-ja: Ja 7 shkeljet e draftit për SHISH-in



Thuajse të gjithë ekspertët vendas, por edhe opozita, kanë kundërshtuar draftin për ndryshimin e kuadrit ligjor për Shërbimin Informativ që në momentin që u publikua drafti nga maxhoranca. Ish-drejtues të SHISH-it, ekspertë, por edhe përfaqësues të PS-së, janë shprehur se kjo nismë ligjore cenon rëndë pavarësinë e këtij institucioni. Partia më e madhe e opozitës e konsideroi këtë projektligj një përpjekje për ta kthyer SHISH-in në një “gestapo moderne”, ndërsa specialistët e çështjeve të sigurisë konstatojnë se do të humbasë pavarësia e dyfishtë e Shërbimit dhe në drejtime të caktuara do të kthehet në një “shtojcë” të misionit të Policisë së Shtetit.

Ndërhyrjet politike
Ndër pikat më kritiket të draftit ka të bëjë me misionin e shërbimeve inteligjente në vend për të përgjuar të gjithë ata individë që me veprimet e tyre synojnë të përmbysin sistemin e demokracisë parlamentare. Megjithëse dispozita e parashikuar mbetet evazive, ajo nënkupton të drejtën e përgjimit të përfaqësuesve të opozitës duke e kthyer këtë institucion në një instrument tërësisht politik. Një praktikë e tillë është e parashikuar në draftin ligjor që të bëhet përmes një firme që i kërkohet kryetares së Kuvendit. Midis të tjerave, ndryshimet në këtë ligj zhvlerësojnë firmën e Presidentit të Republikës në emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it. Kjo për faktin se propozimet e kryeministrit, para se t’i dërgohen Presidentit, do të marrin miratimin e Kuvendit. Pasi propozimet marrin miratimin e Kuvendit, atëherë situata bëhet e vështirë për Presidentin që të mos i miratojë emrat e propozuar nga kryeministri, të cilët gëzojnë mbështetjen e shumicës parlamentare, ndaj dhe firma e tij kthehet në një procedurë formale të parëndësishme. Po kështu, projekti parashikon kufizimin e mandatit të drejtuesve të SHISH-it deri në 5 vjet me të drejtën e riemërimit për një mandat të dytë.

Analiza e PS-së
Socialistët e konsideruan skandaloze nismën për disa shtesa të bëra nga maxhoranca për ligjin për veprimtarinë e SHISH-it. Sipas deputetit Saimir Tahiri, centralizimi dhe kontrolli që synohet me këtë iniciativë mbi SHISH-in bëhet edhe më i frikshëm, sepse mund të abuzohet me mundësinë që ky organ ka me ligjin ekzistues për të përgjuar dhe kontrolluar deputetët me vetëm një firmë të thjeshtë të kryetares së Kuvendit.
“Supozoni një drejtor të emëruar nga Berisha që përgjon me firmën e kryetares së Parlamentit. Kjo nuk përbën asnjë garanci”, - u shpreh Tahiri. Një tjetër hapësirë e çuditshme, sipas Tahirit, është edhe fakti se në projektligj përcaktohet një mandat i kufizuar për drejtorin e SHISH-it, por jo për zëvendësin e tij. Aq më tepër që roli i Parlamentit është i kufizuar, thuajse inekzistent. Një tjetër pikë është edhe inspektori i Përgjithshëm, i cili është parashikuar të emërohet drejtpërdrejt nga kryeministri. Sipas opozitës, janë një sërë pikash të tjera, të cilat janë tregues të qartë të tentativës së kryeministrit për të zaptuar këtë institucion. Sipas tij, Shërbimi ka nevojë për një reformë rrënjësore konsensuale, me asistencën e NATO-s, të KE-së dhe OSBE-së. “Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet një institucion profesional, dhe jo një organ politik”, - argumentoi deputeti socialist.

Kundërshtia e ekspertëve
Sapo u miratua drafti në qeveri, ekspertët reaguan duke kundërshtuar disa ndërhyrje rrënjësore në projektligjin për SHISH-in, që kanë të bëjnë me: detyrat e drejtorit të SHISH-it, me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere, kanë dalë edhe ekspertët e fushës. Sipas tyre, në nenin 3 të ligjit për SHISH-it, ku përcaktohen detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, është shtuar paragrafi A, sipas të cilit, SHISH-it i ngarkohet për detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare. Një formulim i tillë për ekspertët është i gabuar, pasi SHISH-i është thjesht organ informativ që mbledh informacion për çështje që lidhen me sigurinë. Në paragrafin C të këtij neni është shtuar se: SHISH-i mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Njohësit e fushës konstatojnë se një shtesë e tillë është e panevojshme, sepse në bazë të ligjit ekzistues, asgjë nuk e pengon SHISH-in të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale; ky paragraf ka më tepër efekt propagandistik se sa impakt profesional. Gjithashtu, i jep SHISH-it një pamje jomiqësore përpara administratës shtetërore, gjë që e pengon në aktivitetin e tij. Në paragrafin C të këtij neni, SHISH-it i ngarkohet detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Kjo duket sikur e vendos SHISH-in në vartësinë e Policisë. Në paragrafin D thuhet se “SHISH-i ka për detyrë të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera”. Ekspertët pohojnë se me këtë paragraf komprometohet rëndë pozita e kryeministrit. Në Nenin 5, ku parashikohen detyrat e drejtorit të SHISH-it, është shtuar paragrafi A, sipas të cilit: “Drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit”. Në vlerësimin e specialistëve, përdorimi i termit “operacion” është i pavend. Në paragrafin C të këtij neni, drejtorit i ngarkohet detyrë të garantojë se SHISH-i nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike. Një ndryshim i tillë, sipas ekspertëve, është thjesht një përsëritje e asaj që thuhet në ligjin që është në fuqi. Edhe kufizimi i mandatit konsiderohet i pajustifikuar, pasi drafti duhej të ishte shoqëruar me parashikimin në ligj të rasteve kur këto drejtues mund të largohen para mbarimit të mandatit. Sipas tyre, SHISH-i është një institucion i rëndësishëm, por gjithsesi nuk është i asaj rëndësie që e bën të ketë drejtues me mandate kohore të përcaktuara. Është argumentuar se kështu e kanë shumë vende, por mund të them se vendet perëndimore me të cilët kemi shkëmbyer eksperiencë, nuk e kanë një gjë të tillë.
Partia Socialiste përgatiti shtatë amendamente të projektligjit pas konsulencës që zhvilloi me specialistët e fushës, duke synuar ruajtjen e thelbit të misionit të SHISH-it, ruajtjen e raporteve konstitucionale dhe ligjore me pushtetet, dhe moscenimin e veprimtarisë së Shërbimit me shërbimet e huaja. (Më poshtë janë shtatë propozimet e bëra nga PS-ja për këtë draft të përgatitur nga maxhoranca.)

SHTATË PROPOZIMET E PS-së

1. Amendamenti i nenit tre, ku SHISH-i ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore për një funksion të tillë.

2. Amendamenti tjetër i këtij neni, ku SHISH-i mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale. Një shtesë e tillë e deformon objektin e punës së SHISH-it.

3. Propozimi tjetër për t’u shtuar në paragrafin c të këtij neni, se SHISH-i ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative. Ai synon ta vendos SHISH-in në vartësinë e Policisë.

4. Është absurde edhe shtesa në paragrafin D, ku SHISH-i ngarkohet të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
Ky propozim e komprometon rëndë pozitën e kryeministrit, pasi ai kërkon të marrë kompetencat e drejtorit të SHISH-it.

5. Amendamenti, ku SHISH-it i ngarkohet detyrë të certifikojë personat sipas përcaktimeve ligjore, është shumë i përgjithshëm, lë vend për interpretim të zgjeruar, bie ndesh me ligjin “Për informacionin e klasifikuar”, si dhe krijon paqartësi në shërbim, në publik dhe administratë.

6. Është i paargumentuar dhe i pavend edhe amendamenti i bërë në nenin 5, paragrafi A, ku drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit. Formulime të tilla, përveç të tjerash, tregojnë edhe inkompetencë të theksuar profesionale të hartuesve të këtij projekt ligji. Termi “operacion” për SHISH-in nuk është ligjor.

7. Vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë, të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, tregon qëllimin e vetëm dhe të vërtetë të këtij projektligji në plotësim të dëshirave të z. Berisha. Ai, edhe në bazë të ligjit aktual, i ka të gjitha të drejtat për të ndërprerë qëndrimin në detyrë të drejtorit të SHISH-it dhe zëvendësit të tij.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›