E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Veriumbetet i tensionuar

PRISHTINE-Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare pohojnë se situata në veri është qetësuar, por ekspertët e sigurisë thonë të kundërtën. Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë vlerësojnë se situata në veri të Mitrovicës vazhdon të mbetet e brishtë.
Ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë t’i rrisin masat e sigurisë, në mbrojtje të jetës së qytetarëve atje. Sipas tyre, autoritetet kosovare duhet të garantojnë sigurinë dhe tërësinë territoriale të shtetit.

Naim Maloku, ekspert për çështje ushtarake, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se për të pasur një stabilitet të situatës në veri, duhet që domosdoshmërisht të fuqizohen mekanizmat për mbajtjen e rendit dhe funksionimin e ligjshmërisë në atë pjesë të Kosovës.

“Absolutisht, situata në veri nuk është stabile. Unë mendoj që, sa më gjatë të jetë kjo situatë, e parregulluar dhe pa u shtrirë dora e ligjit dhe e drejtësisë, ajo pjesë veç sa do të shkojë në dëm të Kosovës, por edhe Serbia do të ketë dëme, edhe krejt rajoni”.

Edhe për ekspertin, Agim Musliu, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e paqëndrueshme. Sipas tij, gjendja atje mund të jetë stabile aq sa dëshirojnë autoritetet e sigurisë në Serbi.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është stabile aq sa duan instrumentet e sigurisë apo aq sa do politika serbe. Në momentin kur u duhet atyre ta destabilizojnë, ata do ta destabilizojnë dhe do të bëjnë ndonjë ngjarje siç ndodhi tani”.

Siç pohon Musliu, kjo situatë ndodh pasi që institucionet e Kosovës po e anashkalojnë vetë atë, duke mos ndërmarrë asgjë konkrete.

“Unë konsideroj se politikanët tanë nuk janë në nivel dhe nuk kanë guxim që të kapen me këtë problem ashtu siç duhet. Kohëve të fundit, po dëgjoj ministrin e Punëve të Brendshme që po jep disa premtime, e që duhet t’i përmbushë”, thotë Musliu.

Situatën e qetë në pjesën veriore të Kosovës e shohin edhe autoritetet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e misionit evropian për sundimin e ligjit thonë se Policia e Kosovës po mban rendin në atë pjesë, duke qenë e monitoruar nga EULEX-i.

Zyrtarët e EULEX-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë deklaruar se janë të vendosur për të gjetur dhe sjellë para drejtësisë autorët përgjegjës për incidentin tragjik të 2 korrikut, si dhe incidentin e të shtënave të 5 korrikut.

(d.b/Evropaelire/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›