Shpërdoroi detyrën, SHKB-ja prangos policin kufitar dhe sekserin
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës arrestoi mëngjesin e së shtunës një punonjës të shërbimit kufitar në Kakavijës, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, si dhe një person tjetër për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës thanë për gazetën “Shqip” se “dy të akuzuarit vendosnin vula hyrjeje në pasaportat e shtetasve shqiptarë pa praninë e tyre, duke përfituar 3000 euro gjithsej”. Të njëjtat burime saktësuan se “të ndaluarit janë Ermal Sheroku, 29 vjeç, lindur dhe banues Skrapar, si dhe punonjësi i shërbimit kufitar, Afrim Shenaj, 38 vjeç, lindur dhe banues në Fier”. Sheroku kishte marrë përsipër vulosjen e pasaportës së dy shtetasve nga Fieri, ndërsa punonjësi i policisë kufitare përfitonte shumat financiare, përkundrejt shpërdorimit të detyrës shtetërore. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 7 celularë, 4 pasaporta, si dhe automjeti tip “Citroen” me targa greke NZK5908.
#