Ekspertët amerikanë, 2 orë në Prokurori
Hetimet për 21 Janarin kanë çuar sërish në Prokurorinë e Tiranës dy ekspertët amerikanë, të cilët kanë zhvilluar një takim 2-orësh për ecurinë e hetimeve
Tiranë Dy ekspertë amerikanë, të angazhuar në hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit, kanë zhvilluar dje një takim me drejtuesit e grupit hetimor që ka në dorë këtë dosje. Ekspertët të shoqëruar edhe nga një përkthyes shqiptar kanë qëndruar për rreth dy orë në zyrat e akuzës, ku kanë diskutuar me prokurorët shqiptarë për ecurinë e hetimeve të deritanishme, në lidhje me zbardhjen e tre nga katër vrasjeve të ndodhura në bulevard. Takimi i djeshëm është cilësuar nga Prokuroria si vazhdim i konsultave që grupi hetimor kryen me ekspertët amerikanë që asistojnë hetimet për vrasjet që ndodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë demonstratës së opozitës. Burimet thanë se takimi me dy ekspertët ka pasur si fokus konkluzionin e hetimeve të deritanishme dhe disa nga veprimet e ardhshme hetimore që do të kryhen. Organi i akuzës nuk mundi të sqarojë nëse në takimin e djeshëm kanë marrë pjesë ekspertët që kanë qenë deri tani në Shqipëri, apo bëhet fjalë për specialistët e tjerë që Prokuroria shqiptare kërkoi për zbardhjen e ngjarjeve të 21 Janarit. Duke qenë se nga ekspertimi i armëve të Gardës, asnjëra prej tyre nuk përputhet me predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, organi i akuzës kërkoi ndihmë nga të huajt për identifikimin e autorëve të dyshuar. Një kërkesë e tillë u bë edhe për të përcaktuar mënyrën se si janë vrarë demonstruesit Ziver Veizi e Hekuran Deda, pasi predha e gjetur në trupin e Veizit ka dëmtime, ndërsa viktimës së dytë nuk i është gjendur predhë në trup. Për zbardhjen e vrasjes së katërt, Prokuroria është duke pritur predhën që mjekët turq hoqën nga trupi i Aleks Nikës. Duke qenë se dy vrasjet e para nuk mund të quhen ende si të zbardhura, Prokuroria ka menduar kryerjen e eksperimentit hetimor në bulevard. Për rindërtimin e dy vrasjeve, akuza ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të specializuar në këtë fushë, por ende nuk ka një qëndrim zyrtar, nëse ekspertët e kërkuar kanë mbërritur ose jo në Shqipëri. Aktualisht, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit tekniko-balistik për disa armë të tjera të Gardës së Republikës, edhe pse pjesa më e madhe rezulton se nuk kanë qëlluar më 21 janar. L.Bakillari