Gërdec, ku dhimbja dhe apeli për drejtësi s’njohin kahe politike
Tiranë Në Gërdec dhimbja dhe apeli për drejtësi nuk njohin kahe politike. Ndaj edhe ora e shpërthimit, 12.15 minuta, i gjen familjarët e viktimave në memorialin e ngritur mbi krater, edhe pse një tjetër tubim-homazh ishte paralajmëruar për t’u zhvilluar në një orar më të vonë. Të zhgënjyer e indiferentë, por më së shumti të lodhur nga të qenit dekor, të afërmit e të vdekurve të 15 marsit 2008 kujdesen që ceremonia e tyre të mos marrë ngjyrime politike. “Ne jemi organizuar, siç e patë, në homazhet te krateri për nder të viktimave. Nga televizori unë jam njohur me njoftimin e opozitës për mitingun e saj homazh për viktimat. Familja jonë nuk do të jetë e pranishme. Ne kemi bërë homazhet tona dhe te këto homazhe kanë qenë të ftuar të gjithë, demokratë e socialistë, të gjithë njerëzit e thjeshtë që solidarizohen me dhimbjen tonë”, - pohon për MAPO-n Feruzan Durda, i cili humbi djalin e tij gjatë shpërthimit në Gërdec, tri vite më parë. Të tjerët kujtojnë në heshtje, qajnë e vendosin lule mbi memorial, e mbi të gjitha kërkojnë drejtësi për këtë tragjedi të rëndë, që edhe pas tre vitesh nuk ka asnjë person të dënuar. “Shteti duhet të mbajë përgjegjësi për time bijë, që vdiq 19 vjeç në Gërdec, e për tim shoq, që nuk e përballoi këtë tragjedi”, - thotë me lot në sy Tushe Osmani, e cila ndodhet bashkë me të tjerët në homazhin e organizuar nga familjarët. Drejtësia është kryefjala që vjen nga Gërdeci, 3 vjet pas tragjedisë, ngushëllimi i vetëm për familjarët e viktimave, që sot ndihen njësoj larg qeverisë e opozitës. “Ne duam drejtësi, këtë kërkojmë. Drejtësia nuk ka kahe politike. Pashë disa ditë më parë kryebashkiakun e Vorës, së bashku me disa banorë të Gërdecit që takuan kryeministrin Berisha. Vetëm një nga banorët që ishte prezent aty kishte humbur të afërm. Ky takim u paraqit pastaj ashtu si u paraqit. Ne nuk kemi nevojë t’i lutemi dhe s’kemi pse i lutemi Kryeministrit, për diçka që na takon”,-shton më tej Feruzan Durda, i cili është njëherazi edhe kryetari i shoqatës së familjarëve të Gërdecit. Ceremonia e mesditës ka zgjatur rreth 20 minuta dhe më pas të afërmit e viktimave dhe bashkëfshatarët janë shpërndarë për në shtëpitë e tyre. Një pjesë e familjeve të viktimave kanë vendosur të bëjnë homazhet e tyre pasdite, së bashku me përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët e ardhur nga Tirana, pasi nuk ishin në dijeni të ceremonisë së familjarëve. Vetë Feruzan Durda tha për MAPO-n se ishte njoftuar përmes mediave për ceremoninë homazh të organizuar nga opozita. Pas homazheve, familjarët e viktimave kanë hapur dyert e tyre për të afërmit dhe fqinjët në kujtim të atyre që humbën jetën më 15 mars 2008.
15 marsi, afati i fundit për paditë
Fill pas ceremonisë-homazh, anëtarët e familjes Durda janë interesuar nëpërmjet avokatëve edhe për paditë e bëra ditën e djeshme nga ana e të plagosurve dhe familjarëve të viktimave të tragjedisë. Dje skadonte dhe afati i fundit për ngritjen e padive penale për të plagosurit nga kjo tragjedi, ndërsa studioja ligjore që asiston palën e dëmtuar dje ka dorëzuar në gjykatë paditë dhe ankesat administrative ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, që kryesisht asistojnë në kërkesat për mbështetjen shtetërore për ndihmën mjekësore si dhe në dëmshpërblimin e plotë në lidhje me punën e kryer në Gërdec dhe pasojat që erdhën pas shpërthimit.
“Ja si po i përballojmë pasojat e tragjedisë”
Luftim Gërdeci rrëfen në një intervistë për MAPO-n vuajtjet 3-vjeçare për kurimin e së shoqes. “Askush nuk i merr seriozisht problemet tona e me fjalë politikanësh nuk zgjidhen hallet”
Bashkëshortja e Luftim Gërdecit, Rabija, mban ende në trup plagët e djegies nga shpërthimi. Të dy, burrë e grua, kanë punuar në fabrikë, ndërsa sot, tre vjet pas tragjedisë janë të zhytur në borxhe. Rabija nuk punon, për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa Luftim Gërdeci është aktualisht i papunë. Ai tregon sesi familja e tyre po i përballon pasojat e tragjedisë.
Zoti Luftim, ju keni punuar në fabrikë dhe keni qenë aty ditën e ngjarjes. Si e kujtoni atë ditë?
Unë kam punuar në fabrikë, së bashku me bashkëshorten dhe disa të afërm. Ditën e shpërthimit puna na ka shkuar vaj dhe mbaruam shpejt e shpejt. Deri nga ora 11:45 ishte gjithçka shumë në rregull dhe ishim përgatitur për të marrë pushimin e drekës, po transportonim ngarkesat e fundit. Unë punoja brenda në fabrikë në ambientet e brendshme. Kam qenë i përkulur dhe në moment kam ndjerë një nxehtësi të tmerrshme. Kthej kokën pas, nga shesh-grumbullimi i fabrikës ku punonte dhe gruaja dhe shoh një zjarr shumë të madh. Ime shoqe ka parë edhe më keq. Ajo është djegur thuajse e tëra nga plagët. Kur shkova në spital të interesohem për gruan, më thonë se ishte shtruar në reanimacion. Ditën e parë ajo mundej të fliste, por më vonë djegiet e rënda dhanë efektin e tyre dhe gruaja ka ndenjtur tre muaj në gjendje shumë të rëndë, në gjendje kome me djegie në kokë dhe në kurriz.
Bashkëshortja juaj kurohet prej tre vitesh. A keni marrë ndihmë shtetërore për këtë kurim ju?
Vetëm në tre muajt e parë, bashkëshortja ka marrë mjekimin falas. Kanë qenë dhe muajt ku ajo ishte në fije të perit me jetën e saj. Dua të them se doktorët janë sjellë shumë mirë, nuk kemi ç’themi. Në fillim menduam ta kuronim jashtë vendit, por gjendja e saj ishte e tillë sa transporti i rrezikonte jetën. I gjithë kurrizi ishte qelbëzuar shumë dhe lëkundjet në transport mund t’i qelbëzonin dhe organet e brendshme, shtresa e djegies ishte shumë e madhe, sidomos në kurriz. Prej tre vitesh ama të gjitha shpenzimet e kurimit të gruas unë i kam përballuar vetë. Nga shteti kam marrë 3 milionë e 900 mijë lekë për dëmtimin e shtëpisë. Thuajse të gjitha këto lekë kanë shkuar për kurimin e gruas dhe blerjen e medikamenteve. Ne marrim ndihmë shtetërore vetëm 12 mijë lekë në muaj, ndërsa ilaçet e bashkëshortes kushtojnë të paktën 30 mijë lekë çdo muaj. Kam bërë shtëpinë sërish dhe këtë e bëra vetëm duke marrë në njerëz të afërm 3 milionë lekë borxh dhe tani jam i papunë. Gruaja kërkon shërbim për lyerjen me medikament në kurriz tri herë çdo ditë dhe unë kur jam në punë, kthehem gjithnjë në drekë në shtëpi për t’i shërbyer bashkëshortes. Që të krijoni një ide dhe ju, mund t’ju them se unë kam llogaritur se vetëm taksitë që kam paguar këto tre vite për transportimin dhe kurimin e gruas shkojnë diku te 500 mijë lekë të reja. Një pjesë e madhe e fshatarëve që kanë marrë lekët për shtëpitë këtu, i kanë shpenzuar për kurimin e të afërmve të tyre të plagosur.
Sa paguheshit në Gërdec?
Paga na dukej shumë e mirë, pasi dhe unë dhe bashkëshortja merrnim rreth 2 mijë lekë në ditë, ishim të kënaqur, por nuk e dinim fare se çfarë fitimesh prodhonte vendi ku ne punonim. Me pak fjalë, na kanë shfrytëzuar dhe janë tallur me ne, pasi kushtet e punës kanë qenë shumë të vështira. Para se të ndodhte shpërthimi, kam patur edhe një debat me Dritan Minxollin për kushtet e punës. Kujtoj se për karrocat transportuese nuk përdoreshin veshje mbrojtëse te rrotat dhe kontakti ishte hekur me barut, çka është shumë i rrezikshëm. Mendoj se një ditë do të ndodhte me siguri ai shpërthim, pasi siguria kishte shumë probleme.
Ju nuk keni qenë në homazhet e familjarëve. A do të merrni pjesë në protestën homazh që do të bëjë opozita?
Nuk kisha dijeni për homazhet e familjarëve të viktimave dhe nuk u njoftova. Për këtë të opozitës, jam njoftuar nga mediat dhe do shkoj. Një vit pas ngjarjes, në vitin 2009, para zgjedhjeve, Edi Rama erdhi në shtëpinë time. Erdhi ngushëlloi dhe aty e kam pyetur se çfarë do bënte ai konkretisht nga ana e tij, se ne fajtorët i dinim dhe nuk kishim nevojë të na i tregonin. Na tha se në 29 qershor, do e shifnim se çfarë do bënte ai për këtë çështje. Unë mendoj se asnjë nuk i merr seriozisht problemet tona dhe kam humbur besimin te të gjithë. Na duhet ndihmë konkrete, nuk na duhen fjalët, se me fjalë nuk i zgjidhim hallet. H.Hasani
Peripecitë e banorëve-qiraxhinj të kraterit
Në perimetrin e afërt të shpërthimit në Gërdec nuk lejohen më ndërtime të banesave. Kush ka patur shtëpinë aty, tashmë i duhet të jetojë me qira. Megjithatë, sa më shumë i largohesh kraterit, aq më shumë dallon ndërtimet e sapopërfunduara të shumë banesave. Janë ndërtime të bëra jo më shumë se 1 vit e gjysmë më parë, pas dëmshpërblimeve të dhëna nga qeveria. Pakkush në fshat pranon se nga dëmshpërblimi kanë mundur të zëvendësojnë dëmet reale. Një numër i madh banorësh kanë përdorur një pjesë të mirë të ndihmës shtetërore për kurimin e të afërmve të tyre, të cilët janë lënduar si pasojë e shpërthimit. Ndërkohë, një pjesë e banorëve që e kanë patur më parë shtëpinë në atë që quhet “perimetri i sigurisë” janë të detyruar të jetojnë me qira dhe kërkojnë çdo muaj në bashkinë e Vorës që qeveria t’u paguajë këstin mujor, por edhe t’u japë zgjidhje strehimit të tyre në mënyrë përfundimtare. Aktualisht, ata janë edhe në proces gjyqësor për këto dëmshpërblime, megjithatë të gjithë të dëmtuarit në këtë histori, nëse i pyet se çfarë kanë reflektuar në këto tre vite, pohojnë më së pari vetëm një gjë: humbjen e plotë të besimit në sistemin e drejtësisë.