E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët analizojnë Buxhetin 2010, Angjeli: Është më afër realitetit

TIRANE- Një buxhet realist, që ka reflektuar efektet e krizës botërore në ekonominë tonë. Kështu e vlerësojnë ekspertët e ekonomisë draftin e miratuar një ditë më parë në parim nga parlamenti. Sipas Prof.Dok Anastas Angjeli, ish ministër i financave në buxhetin 2010 qeveria ka lënë mënjanë euforizmin e këtij viti, duke zbritur më afër realitetit.

“Kemi një kthim do të thoja në realitetin ekonomik të Shqipërisë duke marrë parasysh faktin që vitin e kaluar ne kishim një buxhet jo shumë realist. Të gjitha këto i mbështes në faktin që disa tregues që për shkak të krizës u konsideruan problematikë gjatë vitit 2009, sic është rritja e deficitit buxhetor, apo rritja e deficitit të tregtisë me jashtë, rënia e ritmit të rritjes ekonomike dhe problemi i rritjes së borxhit të jashtëm. Të gjitha këto probleme nuk mund të mos konsiderohen gjatë këtij buxheti për ta thyer buxhetin me këmbë në tokë me realitetin” theksoi Angjeli.

Por për Angjelin, shumë pika të buxhetit 2010 janë të kritikueshme, vecanërisht përsa përket politikave në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, të shpallur si prioritarë nga qeveria.

“Një buxhet nuk mund të matet thjesht e vetëm nga politika që do të ndjeki për pagat apo për pensionet, të cilat po ti shikosh me vëmendje dhe ato janë në kufijtë e shtrëngimit buxhetor. Më me kujdes duhet të ishin parë dhe të shikohen mbështetja e politikave vecanërisht në shëndetësi dhe në arsim” shpjegoi Prof.Dok Anastas Angjeli.
Pas miratimit në parim, buxheti 2010 do të rikthehet në komisionet parlamentare për shqyrtimin nen për nen dhe më pas sërish në seancë plenare për miratimin në tërësi.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›