E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Partitë të respektojnë dispozitat kushtetuese

PRISHTINE- Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë Piter Feith kërkoi sot nga liderët politikë në Kosovë që të respektojnë aktin më të lartë juridik të vendit gjatë marrjes së vendimeve të tyre. Në orët e paradites, para deklarimeve të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Feith tha se partitë duhet të qartësojnë pozicionet e tyre.

“Ne jemi duke i përcjell këto zhvillime me interesim të madh. Qeveria, partitë politike dhe politikanët duhet që së shpejti të dalin me një qëndrim. Mendoj se unë vetëm mund të them se është me rëndësi që dispozitat e kushtetutës të respektohen plotësisht”, tha Feith.

I pyetur se a është e drejtë që të kemi prishje të koalicionit vetëm pesë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 15 Nëntorit, Piter Feith deklaroi se edhe kjo është demokracia dhe se gjëra të tilla mund të ndodhin.

“ Këto gjëra mund të ndodhin, kjo është demokracia, pra kjo varet nga liderët politikë për të gjetur një rrugëdalje, tha Feith

Faktorët ndërkombëtarë kanë mirëpritur ditë më parë ecurinë e procesit të zgjedhjeve të 15 nëntorit dhe e kanë vlerësuar ecurinë e tij.
(m.a/rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›