E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët apel Bankës Qëndrore: Të ulet norma e interesit

Ulja e normave të interesit është një kërkesë imediate për zhvillimet aktuale ekonomike e financiare të vendit. Duke bërë këtë sugjerim për bankën qëndrore ekspertë të ekonomisë thonë se ky veprim lehtëson ndjeshëm kostot në ekonomi si edhe vë më mirë në eficensë depozitat.

“Gjendja e ekonomisë së vendit kërkon disa masa stimuluese në anën e politikës monetare. Besimi dhe konfidenca e publikut shqiptar në sistemin e vet bankar është e admirueshme. Kemi një rikthim të ndjeshëm të depozitave në sistemin bankar që do të thotë se konfidenca është e rikthyer në sistem dhe nuk kemi risqe që lidhen me cështje te stabilitetit financiar” thotë Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë dhe njëkohësisht deputet i PD.

“Në kushtet kur bankat nuk kanë ku të investojnë, janë më të prirura të ofrojnë norma interesi. Pra duhet të kishte ulje të normavë të interesit dhe jo rritje” thotë Zef Preci, ekspert i ekonomisë.

Ekspertët të cilët nuk ngurojnë të shigjetojnë bankat thonë gjithashtu se ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë do të ishte një lehtësim edhe për vetë sistemin bankar.

“Do të ishte e rëndësishme për vetë bankat një ulje e normës së interesit për arsye se bankat kanë pasur një rritje të portofolit të kredive problematike. Një ulje e normës së interesit do të ndikonte edhe në tregun ndërbankar, në huadhënien e parave në tregun ndërbankar. Pra do të ulte koston e marrjes së parasë nga vetë sistemi bankar. Mendoj që në përgjithësi shoqëria do të ishte më mirë duke patur një normë interesi më të ulët për lekun” thotë Xhepa.

“Fakti që për një periudhë të gjatë është mbajtur një nivel i lartë i normave të interesit më shtyn të mendojë, nuk kam evidencë për këtë, për një marrëveshje të heshtur mes bankave dhe vazhdimi i kontrollit të shumicës së depozitave nga një apo dy banka, trashëguar nga periudha para privatizimit, ndoshta i ka dhënë një avantazh i cili është një kosto plus mbi shtetin shqiptar dhe taksapaguesit shqiptarë” thotë Preci.

Aktualisht norma bazë e interesit është 5.25 për qind, normë kjo e fiksuar në tetor 2009. Vitin e kaluar janë bërë dy ndërhyrje në janar dhe tetor duke i ulur interesat me 0.5 pikë të përqindjes.

Adi Darsi Azhornuar së fundi ( e premte , 04 qershor 2010 )

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›