Zhdukja e Belegut, dosja për zbulim, në polici

Zhdukja enigmatike e Eduart Belegut, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, do të hetohet tashmë nga Policia e Shtetit. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka transferuar dosjen “për zbulim”, pasi nga hetimet shumëmujore ende nuk është gjetur ndonjë gjurmë jete. Burime nga policia deklarojnë se nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar asnjë pistë nga e cila mund të zbardhej vendndodhja e Belegut. Gjatë kësaj kohe janë verifikuar banesat e të afërmve të Belegut për vendstrehimin e tij. Gjithashtu janë kontrolluar pronat e tij, si dhe është kërkuar informacion në pikat e kalimit kufitar, nga ku kanë ardhur përgjigjet se “Eduart Belegu nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë para se të zhdukej”. Të ndodhur në këto kushte, Krimet e Rënda e kanë transferuar dosjen në polici, ndërsa do të jenë sërish prokurorët që do të drejtojnë hetimet. Paraprakisht dosja në fjalë ka disa dyshime në lidhje me veprën penale të konsumuar në këtë rast, pasi ka dyshime për një rrëmbim të mundshëm, por edhe për një largim nga banesa. Për rastin e parë, kompetente është Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa për të dytin Prokuroria e Rrethit. Përpos këtyre diskutimeve, puna hetimore është përqendruar për gjetjen e fakteve për të zbardhur fatin e Belegut.
Mësohet se informacione zyrtare kanë mbërritur në polici dhe prokurori nga pikat e kalimit kufitar tokësor, si Dogana e Kakavijës, Kapshticës, Dogana e Tre Urave në Përmet, Dogana e Qafë-Thanës, si dhe Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Asnjë gjurmë për Belegun, i cili nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë në rrugë tokësore. Vëmendja u përqendrua edhe në aeroportin e Rinasit, prej nga ku erdhi përgjigjja se nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë asnjë shtetas shqiptar me emrin Eduart Belegu. Pas këtyre hetimeve të hollësishme, puna e grupit hetimor u përqendrua në verifikimin e çdo prone dhe pasurie të Eduart Belegut. Burime nga Policia e Shtetit thanë se morën urdhër për të vëzhguar banesat e të afërmve të Belegut, si dhe kanë mbajtur nën kontroll një pjesë të mirë të të dyshuarve. Megjithatë, as kjo masë nuk ka mjaftuar për të mësuar fatin e ish-këshilltarit të ministrit të Ekonomisë, i hetuar më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës nga Prokuroria e Elbasanit.
Një pikë kyçe e hetimeve ishin edhe tabulatet e telefonit të të zhdukurit. Personat që kanë kontaktuar së fundmi me Belegun janë marrë në pyetje dhe nga verifikimet paraprake nuk ka rezultuar ndonjë detaj me vlerë për hetuesit. Një nga provat më të rëndësishme për grupin hetimor ishte edhe mesazhi që ka mbërritur në celularin e të vëllait. Për të mundësuar një hetim të plotë, oficerët e policisë gjyqësore po këqyrin çdo të dhënë në tabulatet telefonike, nga ku shpresohet të nxirret ndonjë fakt për zhdukjen e tij. Gjithashtu, hetimet janë përqendruar edhe tek automjeti, i cili është gjetur në periferi të Tiranës. Ekspertë të fushës po vazhdojnë të bëjnë këqyrjen e tij, ndërsa po mbahen kontakte me familjarët për çdo të re. Burime nga policia dhe prokuroria thanë se Belegu ka takuar rreth 25 persona para se të zhdukej, ndërsa ata që kanë komunikuar, qoftë fizikisht, qoftë verbalisht, janë thirrur për dëshmi në polici dhe prokurori. Grupi hetimor ka dyshime se gjatë takimeve me këta persona, Belegu u ka bërë me dije shqetësimet e fundit në lidhje me punën apo me hallet familjare, të cilat nga akuza mund të konsiderohen edhe si pista të zhdukjes së mundshme.
#