E Diel, 1 Nëntor 2026

Numërohen 1/3 e kutive të Lezhës - s’ka ndryshime në rezultat

21-07-2013 / Gazeta 55

KQZ: Procesi rrit transparencën dhe integritetin e zgjedhjeve. PD: Në Lezhë zbuluam masakrën. LSI: S’jemi kundër rinumërimit, por po bëhet në shkelje ligjore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e votave të kutive të Lezhës dhe Shkodrës. Edhe pse ky vendim është kundërshtuar fuqishëm nga e majta, veçanërisht PS dhe LSI, institucioni i administrimit të zgjedhjeve, KQZ vlerëson se kjo do të rrisë transparencën dhe integrimin e procesit zgjedhor. Sipas anëtarit të KQZ-së, Hysen Osmanaj, ky ishte vendimi i duhur që KQZ morri pas problemeve të shfaqura në 10 QV të Lezhës. Në këto kushte, 665 kuti votimi në Lezhë e më pas në Shkodër, do t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit të votave. Ndërsa për përfaqësuesin e PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, i rëndësishëm është integriteti i procesit dhe jo ajo që mund të ndodhë me mandatet. “Synohet që të shihet puna e administratës së zgjedhjeve qoftë në vendet e numërimit të votave, qoftë edhe në komisionet zonale. Shtohet transparenca e këtij procesi dhe natyrisht shtohet besimi edhe tek elektorati që vota shkon atje ku votuesi ka votuar. Sikurse shihet edhe integriteti, pasi u vu në diskutim integriteti i kutive të votimit në magazinat e KQZ dhe deri tani ju e patë që janë ashtu siç janë mbyllur”- u shpreh Osmanaj. “Kemi tashmë një rezultat që kryetari i PD e ka shpallur publikisht që e njeh këtë rezultat, fitorja është e krahut të majtë. Pa patur asnjë interes se në cilin krah shkon mandati, e marrim ne, apo mund të humbasim edhe një mandat tjetër. Kjo pjesë nuk ka intereson fare. Ne i kemi vënë detyrë vetes, nga ajo që pamë në Lezhë, që e vërteta është më e rëndësishme se gjithçka”- u shpreh përfaqësuesi ligjor i PD, Njazi Kosovrasti. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho thotë se megjithëse forca politike që përfaqëson është vetëm palë e interesuar në këtë proces, procesi i rinumërimit është një hap pozitiv, por sipas tij vendimmarrja e KQZ-së është e kundraligjshme, pasi është marrë në kushtet kur KQZ funksionon vetëm me katër anëtarë. “Nëse do ta veçonim për një moment procesin e rinumërimit dhe vlerësimit të votave, vlerësimi im është i natyrës që, ne nuk jemi kundër kësaj, është gjë e mirë që ndodh rivlerësimi i votave, por i nisur në kundërshtim me ligjin, atëherë çdo provë që merret dhe çdo veprim që kryhet, ka vetëm një emër dhe kjo është pavlefshmëria”- theksoi përfaqësuesi i LSI-së, Muho.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumëroi dje 80 kuti të qarkut të Lezhës, të cilat nuk kanë sjellë ndryshim në rezultatin zgjedhor për këtë qark. Tetë grupe numërimi me nga dy anëtarë startuan rinumërimin në ambientet e KQZ-së, duke vlerësuar materialin zgjedhor dhe fletët e votimit. Nga hapja e pjesës së parë të kutive, 1/3 të tyre gjatë gjithë ditës së djeshme nuk pati ndonjë surprizë në rezultatin e zgjedhjeve dhe procesi u ndoq edhe nga vëzhguesit e partive politike. Të parat që u numëruan ishin të 54 kutitë e votimit që i përkisnin KZAZ-së numër 12, prej të cilave rinumërimi nuk solli ndryshime. Ndërkohë që gjatë pasdites, u hapën kutitë e KZAZ-së 13. Gjatë hapjes së kutive ditën e djeshme në KQZ, nuk pati mospërputhje rezultati.
Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës pritet të zgjasë së paku një javë, ndërsa janë ngritur 8 grupe për numërimin e votave që po realizohet në sallën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi u mor nga KQZ një ditë më parë pas kërkesës së anëtarit Klement Zguri, për ta çuar procesin deri në fund pas shkeljeve që u konstatuan në 10 qendrat e votimit të Lezhës të ankimuara nga PD. Nga Qarku i Lezhës do të rinumërohen 248 kuti ndërsa në Qarkun e Shkodrës 417 kuti të të gjitha KZAZ-ve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›