E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e KE në Shqipëri për liberalizimin e vizave

Misioni i parë nis efektivisht që sot nga puna. Ai do të qendrojë në Shqipëri gjithë javën dhe më pas do të ketë të paktën edhe dy misione të tjera, të cilat së bashku do të mbulojnë të gjithë gamën e detyrimeve të vendit. 

TIRANE- Në Shqipëri ka mbërritur misioni i parë i ekspertëve të Komisionit Europian të cilët gjatë gjithë javës do të shqyrtojnë nga afër zbatimin nga ana e autoriteteve shqiptare të udhërrëfyesit për një regjim të liberalizuar vizash. Ky mision do të pasohet nga dy të tjerë po në nivel teknik, raportet e të cilëve do t’i shërbejnë Komisionit Europian për t’u shprehur në favor ose jo të qarkullimit të lirë të qytetarëve shqiptarë në Europë.

Misioni i parë nis efektivisht që sot nga puna. Ai do të qendrojë në Shqipëri gjithë javën dhe më pas do të ketë të paktën edhe dy misione të tjera, të cilat së bashku do të mbulojnë të gjithë gamën e detyrimeve të vendit.

Një nga çështjet thelbësore të procesit, ajo që lidhet me dokumentet e identifikimit dhe udhëtimit, Shqipëria duket se e ka kapërcyer, duke qenë se tashmë ajo ka një regjistër kombëtar elektronik të gjendjes civile, po prodhon letërnjoftimet e reja si edhe pasaportat biometrike.

Mbetet të shihet se si do të vlerësohen aspektet e tjera. Kjo është pjesa që është në dorën e institucioneve shqiptare, por vetëm ajo nuk mjafton. Ky proces ka dhe një aspekt të rëndësishëm politik, pasi ai do të kërkojë mbështetjen e njëzëshme të të gjithë vendeve anëtare.

Kriza ekonomike dhe problemet e brendshme të vetë Bashkimit Europian apo edhe skepticizmi i ndonjërit prej shteteve anëtare ndaj Shqipërisë, janë faktorë që kanë ndikuar në mbajtjen pezull për momentin të hapave të reja në marrëdhëniet me Brukselin, i cili ka kërkuar që Shqipëria të mos nxitojë me aplikimin si vend kandidat.

Nuk është e qartë nëse kjo situatë do të ndikojë edhe në këtë proces i cili për shqiptarët shihet thuajse i njëjtë me hyrjen e vendit në Bashkimin Europian.
(Voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›