Ekspertët e SHBA: Gërdeci, e pamundur të shmangej
Trazhgim Sokolaj
Ekspertët amerikanë që ndihmuan Proku-rorinë shqiptare në hetimin e tragjedisë së Gërdecit, shprehen se parandalimi i ngjarjes ka qenë i pamundur. Gjashtë hetues të Byrosë Federale, që hetoi sulmet e “11 shtatorit”, kanë firmosur akt-raportin ku thuhet se tragjedia e Gërdecit ishte një ngjarje pa shans parandalimi. “Nëse nuk do të kishte ndodhur më 15 mars 2008, ngjarja me të njëjtat përmasa mund të ndodhte me vonë por rreziku i saj gjithnjë ka qenë evident”, theksohet në një nga faqet e raportit të hetuesve amerikanë, i cili është administruar në dosjen penale që Prokuroria dorëzoi në Gjykatën e Lartë pesë ditë më parë. Rreziku i ngjarjes, ashtu siç në fakt konfirmoi shpërthimi në fabrikën e çmontimit të municioneve, shpjegohet nga ekspertët amerikanë me mungesën e kushteve të sigurisë dhe praninë e sasive të mëdha të barutit dhe municioneve që ishin grumbulluar pa kriter në rajonin e Gërdecit. Një punishte e vogël, e pasqyruar në dokumentet shtetërore si një ambient rreth 200 m2, ishte kthyer në një mekanizëm gjigand demontimi, i shtrirë në mbi 9 mijë metra katrorë ku qarkullonin pa masa sigurie, sasi të mëdha predhash e baruti. Në raportin e detajuar mbi vendin e ngjarjes, ekspertët amerikanë theksojnë se shpërthimi me pasoja të rënda u provokua nga saldimi i një prej katër karrocave që përdoreshin për transportimin jashtë fabrikës të barutit, që dilte nga çmontimi i predhave. Karroca ishte dëmtuar, ndërsa saldimi i saj u bë brenda punishtes, në një ambient të mbushur me barut të hedhur përtokë, i cili mori flakë dhe aktivizoi më pas predhat që ndodheshin të hedhura në mënyrë të çrregullt aty pranë. Këto të fundit goditën më pas kontenjerët që ndodheshin pranë fabrikës në krahun e djathtë të portës hyrëse. Aty ishte depozituar në shkelje të rregullave të sigurisë, mbi 700 tonë barut i dalë nga emontimi, i cili sipas rregullores duhej të largohej çdo ditë në sasi të vogla pa u lënë të grumbullohej.
Ekspertët e SHBA
Duke u nisur nga vendi i pazakontë i ngjarjes, nga përmasat e tragjedisë dhe nga fakti se hetime të tilla nuk ishin kryer më parë në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi një vit më parë ndihmën e ekspertëve të huaj për ekspertizën e vendit të tragjedisë. Gjashtë hetues të Byrosë amerikane ATF, mbërritën në Tiranë dhe për më tepër se një javë, kryen veprime brenda në kraterin e shpërthimit dhe në zonën përreth saj. Duke plotësuar verifikimet nga terreni me të dhënat tjera, ekspertëve iu vu në dispozicion një material filmik, që ishte regjistruar në fabrikën e Gërdecit para se të ndodhte shpërthimi. Në analizë të të gjithë informacionit dhe të dhënave të mbledhura, ekspertët e huaj dhe ata shqiptarë, arritën në përfundimin se mënyra dhe kushtet e magazinimit dhe grumbullimit të municioneve, procedura e demontimit të tyre dhe trajtimi i sasive të barutit që dilnin nga çmontimi, të gjitha këto procese kryheshin në shkelje të kushteve e normave minimale të sigurisë. Duke iu referuar magazinimit të rrezikshëm të predhave që ishin në kontakt me njëra tjetrën dhe me barutin, madje duke evidentuar se brenda atij ambienti persona të punësuar aty ishin filmuar duke pirë cigare, ekspertët arritën në përfundimin se shpërthimi i Gërdecit ishte një ngjarje që i kanosej rajonit që në fillim të procesit të demontimit, një ngjarje e cila nuk mund të shmangej.
Ish-ministri: NATO na kërkoi të bënim kujdes në shkurt ‘08
Mediu: Pse refuzova kërkesën e Berishës për shkarkimin e Pinarit
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pranoi mbrëmë se ka refuzuar kërkesën e Kryeministrit Berisha për të shkarkuar ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari. Duke folur në emisionin “Opinion”, kreu i republikanëve tha se kreu i Ekzekutivit i kishte kërkuar atij shkarkimin e Pinarit, nisur nga mendimi që kishte për të. “Është e vërtetë dhe ka insistuar për shkarkimin e Ylli Pinarit. Ju i dini marrëdhëniet e mia me Forcat e Armatosura, më thoni kë ushtarak kam shkarkuar unë si ministër i Mbrojtjes. Së pari, ushtaraku ka një status, që nuk është si çdo marrëdhënie tjetër. Ylli Pinari është me gradën major. Arsyeja e kryeministrit ishte që të shkarkohet Pinari për shkak të opinionit që kishte kryeministri për të. Por kryeministri nuk e dinte që kishte raporte me Delijorgjin”, tha Mediu. Por duke argumentuar përse nuk kishte pranuar ta shkarkonte kreun e MEICO—s, Mediu tha se “e para është ushtarak. MEICO dhe Ministria e Mbrojtjes nuk është institucion paçavure siç dilet duke i marrë copa shkresash sot nëpër media. Është institucion shumë i rëndësishëm në punën që bën. Si ministër i Mbrojtjes kam detyrim të respektoj ligjin. Së dyti, kam detyrim të respektoj të gjitha marrëdhëniet e partneritetit në kuadër të NATO-s”. Në të njëjtën kohë ai zbuloi një informacion që e kishte marrë nga strukturat e NATO-s, një muaj para Gërdecit gjatë një takimi në Bruksel. “Nga shërbimet e NATO-s na ka ardhur sinjalizimi se duhet të bënim shumë kujdes, se mund të kishim probleme përpara se të anëtarësoheshim në NATO. Ky informacion ka ardhur në muajin shkurt. Por nuk mendoj se SHISH apo strukturat e tjera duhet ta heqin mendjen se mund të ketë edhe një pistë tjetër. Unë e mora informacionin në një takim që pata me drejtorin e Shërbimit Informativ në Bruksel, në një takim me strukturat e sigurisë dhe informimit të NATO-s”, theksoi Mediu.
Procesi civil paralel me gjyqin penal
Dëmshpërblimi për 11 viktima në gjykatë
TIRANE – Kërkesë padia e familjarëve që humbën të afërmit e tyre nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec do të shqyrtohet në të njëjtin proces me të akuzuarit si shkaktarë të shpërthimit. Kjo kërkesë padi i është bashkangjitur dje dosjes penale në Gjykatën e Lartë, e cila ka të pandehur 29 persona, ushtarakë të lartë dhe punonjës të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, mes të cilëve edhe ish-ministri Fatmir Mediu. Bëhet fjalë për një padi të bërë një ditë pas dorëzimit të dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Lartë nga 11 persona, banorë të Gërdecit, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në tragjedi. Të paditur në këtë rast janë organe dhe përfaqësues të organeve shtetërore. Familjarët e lënduar kanë paditur ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtori i “Meico”-s Ylli Pinarin, administratorin e “Albademil” Mihal Delijorgjin, ish-drejtorin e fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxholli, kompaninë shtetërore “Meico”, kompaninë “Albademil” si edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Kryeministrinë. Mësohet se me anën e kësaj kërkesë padie që tashmë do të shqyrtohet nga e njëjta pesëshe që do gjykojë ish-ministrin Mediu, familjarët kërkojnë dëmshpërblimin me 20 milionë lekë të rinj për çdo familjar të humbur. Padia është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe menjëherë pas dorëzimit ajo është bashkëngjitur në dosjen e tragjedisë. Ndërsa vetëm një ditë më parë në Gjykatën e Lartë u përzgjodhën pesë emrat që do të shqyrtojnë dosjen me 29 të pandehur. Sipas shortit me gogla u përzgjodh trupa gjykuese me relatore gjyqtaren Majlinda Andrea, ndërsa anëtarë, gjyqtarët Efgjeni Sinomeri, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Besnik Imeraj. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec më 15 mars 2008 u vranë 26 vetë dhe u plagosën 300 të tjerë. ar.ba