E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sjellja e partive në prag të zgjedhjeve

Roland Lami 

Në teorinë e konkurrimit të partive, politologët ndër të tjera shpjegojnë se partitë vazhdimisht perceptohen si struktura që përafrojnë njerëzit me opinionet politike të ngjashme. Kryesisht në Liberal Demokracitë, diferencat ndërmjet partive qëndrojnë në planin e ideologjive që ato prezantojnë. Madje, Down arrin në konkluzionin se vetëm ato parti të cilat mbështeten në ideologji të caktuara mund t’i rezistojnë kohës dhe konkurrencës politike.
Por pavarësisht këtij këndvështrimi, autor të tjerë e vendosin theksin jo shumë tek ideologjizimi sesa tek taktikat pragmatiste e partive për të maksimizuar votat e elektoratit. Në këtë kontekst na paraqiten dy linja arsyetimi. Linja e parë që e gjykon ndërtimin e ideologjizimit të mbështetur tek disa tipare që e karakterizojnë partitë që nga themelimi, edhe pse kushtet në të cilat janë themeluar mund të kenë ndryshuar. Linja e dytë me natyrë konkurruese e gjykon zhvillimin e ideologjive shumë dinamike si pasojë e tentativave të vazhdueshme për t’u përshtatur me opinionet dhe vlerat e mbështetësve të tyre potencialë. Siç kuptohet diferenca ndërmjet dy linjave qëndron në faktin se sa reaguese dhe të ndjeshme shihen partitë në raport me opinionet e votuesve dhe ndryshimet në to.
Në këto kushte nisur nga prirjet që demonstrojnë partitë politike në përgjithësi në raport me elektoratin në kohë dhe në rrethana të ndryshme, vlen të analizohet konteksti shqiptar në prag fushate zgjedhore. Madje në kushtet e sistemit proporcional është me interes të analizohen edhe tentativat që po ndërmerren në funksion të konturimit të ideologjisë apo të eliminimit të saj.
Po të marrim linjën e parë të arsyetimit si kriter për të analizuar rrugën e ndjekur nga partitë e vogla në drejtim të sendërtimit të ideologjive, mund të konstatojmë se në fazën e parë këto parti në përgjithësi pikënisjen e themelimit e kanë justifikuar më së shumti me mungesën e demokracisë së brendshme të shfaqur në vite tek dy partitë kryesore PS, PD dhe më pak si një tendencë për të përmbushur kërkesat e paplotësuara të elektoratit nga këto dy forca. Kjo mungesë vëmendje ndaj ideologjizimit është stimuluar edhe nga problemet që ka shfaqur sistemi i mëparshëm zgjedhor, si në drejtim të parregullsive gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, ashtu edhe me lindjen e fenomenit “dushk”. Në këto rrethana partitë kanë qenë të shtrënguara t’i detyrohen më shumë partive kryesore për prezencën ose mosprezencën e tyre në Parlament sesa elektoratit të synuar.
Sigurisht që arsyet e lartpërmendura kanë ndikuar negativisht në drejtim të formimit të identitetit të tyre ideologjik, duke i shndërruar ato më shumë si vegla në duart e partive kryesore sesa subjekte në shërbim të kategorive të caktuara shoqërore. Por sot me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe zbehjen e peshës elektorale të dy partive kryesore, shikojmë një përpjekje të partive të ashtuquajtura të vogla në të dy spektret për të ndërtuar bazat ideologjike. Vërejmë një zhvendosje të vëmendjes nga çështjet që lidhen me nivelin e demokracisë së brendshme te çështjet që kanë të bëjnë me mungesën e ideologjisë së këtyre dy forcave kryesore.
Konkretisht, në krahun e djathtë vërejmë përpjekjen e disa partive për të formalizuar një pol brenda të djathtës, që për momentin është i përbërë nga PDK dhe LZHK, por që pritet në ditët në vazhdim t’i bashkëngjiten PDL, e drejtuar nga z. Spartak Ngjela dhe parti të tjera të këtij spektri. Kjo aleancë parazgjedhore është justifikuar kryesisht me argumentin se elektorati i djathtë ndjehet i papërfaqësuar nga PD-ja dhe aleatët e saj dhe në këto kushte ky pol pretendon të kthejë në vëmendjen e publikut të djathtë çështjet, të cilat nuk kanë marrë përgjigje në harkun kohor 18-vjeçar. 
Gjithashtu në spektrin e majtë kemi të formalizuar polin tjetër të përbërë deri tani nga LSI, PSV ‘91. Edhe ky pol po e ndërton programin elektoral si reagim ndaj doktrinës së prezantuar nga kryetari i Partisë Socialiste, z. Rama, e cila sintetizohet me sloganin “Përtej së majtës dhe të djathtës”. Në këto kushte ky pol ndjen detyrimin moral ndaj elektoratit të majtë, që të formulojë çështjet që nuk kanë interes apo nuk marrin përgjigje nga koalicioni i drejtuar nga PS-ja. Pra, shikojmë që partitë në të dy spektret politike e kanë përqendruar vëmendjen më shumë tek ideologjitë sesa tek niveli i demokracisë së brendshme i partive kryesore. 
Ndërsa përsa i përket dy forcave kryesore politike, PD dhe PS, pavarësisht historisë së gjatë në tregun politik, duke u ndodhur në kushtet e pamundësisë së sigurimit të maxhorancave janë detyruar herë pas here të racionalizojnë veprimet e tyre në funksion të përfaqësimit në parlamente dhe në qeverisje, pavarësisht kostove në planin ideologjik. Të ndodhur në rrethana të tilla, përllogaritja e numrave dhe lëvizjet pragmatiste kanë zbehur ideologjitë dhe identitetet si pjesë dalluese e tyre. Kjo prirje me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe me problemet që kanë krijuar në vite format e qeverisjes me bazë koalicioni e kanë stimuluar edhe më shumë këtë tendencë. 
Nisur nga çfarë thamë më lart, rezulton se dy forcave kryesore me qëllim maksimizimin e votave po afrohet drejt qendrës, ndërsa partitë e vogla po investojnë për t’u identifikuar nga pikëpamja doktrinare brenda tregut politik. E parë në këtë prizëm i mbetet rezultatit të zgjedhjeve që të na tregojë efikasitetin e këtyre taktikave parazgjedhore si dhe konfigurimin e ri parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›