“Zbardhni vdekjen e motrës, i shoqi e mbyti me duar”
BURREL/ HASAN PASHA
Pas 6 vitesh kërkon zbardhjen e vdekjes së të motrës. Duke dyshuar se njerëzit e burrit e vranë Lindita Haxhinë në nëntor të vitit 2003, vëllai i saj i drejtohet Prokurorisë së Matit dhe asaj të Përgjithshme. Kërkesa është bërë nga M.Leshaj, banor i fshatit Stojan i komunës Ulëz. Familja e viktimës, atëherë nuse e re, ka këmbëngulur prej vitesh se vajza e tyre nuk vari veten, siç pretendohej në atë kohë, por është mbytur. Deri pak kohë më parë ishte i ati i saj, Zef Leshaj që kërkoi me ngulm zbardhjen e vdekjes misterioze së të bijës, por vdekja e tij detyroi të birin që të ndiqte deri në fund amanetin e lënë. Burime të sigurta informacioni thonë se, në prill 2004 në Gjykatën e Matit ka mbërritur një ankim nga babai i Linditës, Zef Leshaj, kundër vendimit që pushonte çështjen për vdekjen e së bijës. “Unë i jam drejtuar organit të Prokurorisë Mat ku kam kërkuar që të fillojë ndjekja penale për të kallëzuarit Skënder Haxhija, Shqipe Haxhija (Daçi) e Marte Haxhija, duke i akuzuar ata se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të vrasjes me paramendim të vajzës sime, Lindita Haxhija”. Babai i viktimës ka pretenduar, pesë vjet më parë, se bashkëshorti dhe njerëzit e afërm të tij kanë dhënë sqarime të ndryshme në lidhje me vdekjen misterioze të vajzës. “I ka rënë të fikët”, “e kemi gjetur të vdekur në dhomën e gjumit”, “është gjetur e vetëvarur në kumbull”, etj. janë disa nga dëshmitë e Skënder Haxhisë, që kanë ngritur dyshime të forta te prindërit dhe njerëzit e vajzës së familjes Leshaj. Zef Leshaj ankohet përpara gjykatës, se prokuroria gabimisht e ka mbyllur këtë çështje, duke aluduar se akt-ekspertimi nuk fakton mundësinë e një vrasje. Babai i vajzës në ankimin e tij deklaron se vajza e tij Lindita ka pasur shenja poshtë nofullave, që sipas tij janë njollat e gishtave dhe jo një brazde të shkaktuar nga litari. “Unë e kam parë shpejt vajzën pas vdekjes dhe jam i bindur se ajo nuk është vetëvarur por e kanë mbytur burri dhe njerëzit e tij”, pohonte Leshaj. Ai shton se e bija vdiq rreth orës 18:00 të 23 nëntorit 2003, por policia u lajmërua në orën 07:00 të 24 nëntorit. I biri, M.Leshaj kërkoi në janar të këtij viti rinisjen e hetimeve. Më 13 mars, ai depozitoi në prokurori gjithë dokumentacionin që i ati kishte mbledhur, duke kërkuar zbulimin e të vërtetës për vdekjen e motrës.