Gjyqësori, EURALIUS kritika qeverisë
Fatos Mahmutaj
Bashkimi Evropian adreson kritika të forta për Qeverinë në raport me sistemin e drejtësisë. Nëpërmjet një raporti të bërë publik nga Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, theksohet mungesa e një strategjie të qartë nga ana e qeverisë, për reformat në këtë sistem, ndërsa raporti konsideron si të njëanshme iniciativat ligjore të qeverisë në këtë fushë. Lohan e bëri prezantimin dy ditë më parë gjatë një takimi me krerë të lartë të drejtësisë. Mësohet se misioni i Bashkimit Evropian për drejtësinë, “Euralius” ka kritikuar qeverinë për punë të dobët në sistemin e drejtësisë në vend. Në raportin për drejtësinë dhe progresin në Shqipëri, të prezantuar dy ditë më parë nga ambasadori Lohan, theksohet nevoja e mos ndërhyrjes në sistemin gjyqësor. Sipas raportit qeveria nuk ka një strategji të qartë për reformën në drejtësi, ndërsa konsiderohen si të njëanshme iniciativat e saj në këtë fushë.
Kritikat
“Euralius” ka hedhur kritika të forta kundër Ministrisë së Drejtësisë, duke e akuzuar për mbylljen pa motiv të komisionit të reformave ligjore dhe për njëanshmëri në projekt ligje, duke marrë si shembull konkret atë të Prokurorisë së Përgjithshme. Më tej thuhet se në Shqipëri duhet të marrë fund presioni mbi sistemin gjyqësor dhe dualiteti mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, i cilësuar si problematik. Në këtë sens, raporti i fundit i misionit të asistencës së BE, për drejtësinë shqiptare, është tepër i ashpër me nismat e fundit ligjore dhe Ministrinë e Drejtësisë, si dhe mjaft kritik karshi qeverisë lidhur me reformën në drejtësi. Misioni kritikon përparimin e limituar dhe iniciativat e njëanshme ligjore të qeverisë, që nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe ekspertet e huaj, duke krijuar konflikte me gjyqtarët, prokurorët dhe KLD-në. Që në fillim raporti shprehet se përparimi është shumë i kufizuar në lidhje me strategjinë e përgjithshme për drejtësinë dhe vendosjen e një dialogu ndërinstitucional, ku janë bërë avancime jo domethënëse. Më tej thuhet se strategjia për drejtësinë është lënë në gjendje harrese, ndërsa shprehet keqardhja që Ministria e Drejtësisën kur përgatiti projektligjin për administratën e gjyqësorit, nuk ngriti një grup pune, duke bërë që EURALIUS ashtu si KLD dhe shoqatat e gjyqtarëve i bënë komentet e tyre vetëm pasi drafti kaloi në qeveri.
Raporti
“Ministria e Drejtësisë, përgatiti gjithashtu një projekt-rregullore për stafin administrativ të gjyqësorit dhe një kod etike. Të dy draftet u bënë pa llogaritur ligjin e ri për administratën gjyqësore”, - pohohet në raport, ku shtohet se EURALIUS analizoi të gjitha nismat me shumë kujdes dhe përgatiti me shkrim komentet që vinin theksin jo vetëm tek kontradiktat ndërmjet të gjitha këtyre nismave dhe dispozitave të ligjit për pushtetin gjyqësor, por edhe ndarjen e paekuilibruar të pushtetit mes kryetarit dhe kancelarit të gjykatave. “Për fat të keq, projektligji për administratën gjyqësore dështoi të japë rrugëzgjidhje për çështjen e statusit civil, për personelin administrativ të gjykatave. Drafti mbeti pezull për shumë muaj në Parlament dhe rregulloret nuk janë miratuar ende”, thuhet gjithashtu në raport.
“Ministria e Drejtësisë,konflikt me Prokurorinë”
TIRANE - “Euralius” në raportin e pak ditëve më parë ka hedhur kritika të forta kundër Ministrisë së Drejtësisë, duke e akuzuar për mbylljen pa motiv të Komisionit të Reformave Ligjore dhe për njëanshmëri në projekt ligje, duke marrë si shembull konkret atë të Prokurorisë së Përgjithshme. Projektransporti i misionit të asistencës së Bashkimit Evropian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, është tepër i ashpër me nismat e fundit ligjore dhe Ministrinë e Drejtësisë. Në raportin e tij, EURALIUS kritikon përparimin e limituar dhe iniciativat e njëanshme ligjore të qeverisë, që nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe ekspertët e huaj, duke krijuar konflikte me gjyqtarët, prokurorët dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Pohimi i EURALIUS
“Problem raportet mes Ministrisë, KLD e gjyqësorit”
TIRANE – Në raportin e EURALIUS pohohet se dialogu ndërinstitucional mes Ministrisë së Drejtësisë, KLD-së dhe sistemit gjyqësor shqiptar paraqitet mjaft problematik. Duke analizuar situatën e krijuar së fundmi dhe përplasjet e vazhdueshme mes institucioneve të drejtësisë për problemet e reformës në gjyqësor, EURALIUS ka dalë në konkluzionin se marrëdhëniet mes tyre janë ndodhen në momente të vështira. Sipas raportit, nuk ka asnjë konsultim të qenësishëm me grupet e interesit, ose konsultimet janë bërë në një stad të vonshëm, kur mundësia për të bërë ndryshime të rëndësishme ka qenë tepër e kufizuar. “Kur ka konsultim lihet shumë pak kohë për të dhënë përgjigjen e duhur. Në fakt, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka çuar në Gjykatën Kushtetuese nenet 37 dhe 38 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit, që rregullojnë pikërisht marrëdhëniet e kryetarit dhe kancelarit të gjykatave. Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendimin”, pohohet në raportin e EURALIUS.