Parlamenti Evropian: Urgjent zgjidhje për kartat e identitetit
BLEDAR HOTI
Evropianët i kërkojnë maxhorancës dhe opozitës që të gjejnë konsensusin e tyre politik për përfundimin në mënyrë sa më të shpejtë të procesit për kartat e identitetit. Trojka e PE-së në deklaratën që pritet të publikohet sot, të pranuar nga paneli i deputetëve shqiptarë, do të miratohet në ditën e sotme. Në të pritet t’i kërkohet partive të pozitës dhe të opozitës që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje në lidhje me këtë proces jetik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Takimi nisur dje pasdite ka zgjatur për rreth tre orë dhe janë dëgjuar palët mbi procesin e reformave dhe të përgatitjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Çështja e kartave të identitetit dhe i arritjes së standardeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka qenë një nga temat më të debatueshme në takimin e 16-të ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe delegacionit të Parlamentit Evropian. Për më shumë se një orë, palët kanë diskutuar ndërmjet tyre për procesin. Përfaqësuesi i PS-së në këtë takim, Taulant Balla ka bërë një ekspoze për çështjen e kartave të identitetit, duke bërë prezent dhe nismën e re të opozitës për të pajisur qytetarët me këtë dokument pa paguar. Kryetarja e delegacionit të PE-së, Doris Pack është interesuar në lidhje me procesin e kartave të identitetit. Pack ka deklaruar se “nuk e di nëse Edi Rama ka aplikuar. Duhet një apel për kartat, lideri i opozitës duhet të bëjë. Nuk është problemi se humb qeveria, është se humb Shqipëria. Lidershipi politik duhet të reagojë në lidhje me këtë proces”. Të njëjtën thirrje bëri edhe deputeti italian Tartarelli. Deputeti Balla më pas ka shprehur qëndrime e partisë së që përfaqëson “në lidhje me presionet që qeveria ka bërë ndaj prokurorisë, si dhe në lidhje me ligjin e lustracionit”. Përfaqësuesi çek Tomas Szyoany për ligjin mjaft të debatuar të Dosjeve, kërkoi edhe një herë qeveria shqiptare që të konsultohet me ndërkombëtarët për këtë ligj. Ndërsa europarlamentari Libor Roucek në qëndrimin e tij e ka cilësuar “tendencioze miratimin e ligjit të dosjeve gjashtë muaj para zgjedhjeve”.
Aplikimi në BE
Evropianët kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me aplikimin në BE, duke i kërkuar partive politike shqiptare të mos nxitohen.
“Jo gjithkush në BE është në favor të zgjerimit, një pjesë e vendeve ngurrojnë lidhur me anëtarësitë e reja. Jo të gjithë në BE janë në favor të zgjerimit, se jemi zgjeruar me 12 vende dhe disa prej nesh hezitojnë në këtë moment, por mos u mërzisni. Ne i përmbahemi angazhimeve të takimeve të Selanikut dhe do të kemi një komisioner për Zgjerimin dhe do të bëjmë çështë e mundur në mënyrë që ju dhe vendet e tjera të afroheni me BE-në, por ju duhet të bëni punën tuaj ne do t’ju ndihmojmë. Në një kohë të përshtatshme do të zgjerohemi”, deklaroi Pack. Ajo shtoi se një gjë është e qartë, që në BE kemi zgjedhje për Parlamentin Evropian. Ndërsa ceku Szyoany shtoi se “anëtarësimi NATO, nuk është ftesë për në Bashkimin Evropian. Pozicioni ynë është që ky veprim i rëndësishëm duhet të konsiderohet dhe të mendohet mirë, me të gjitha partitë politike në vend, por gjithashtu edhe me presidencën e KE-së dhe me vendet anëtare BE-së. Do të thosha se anëtarësia në NATO nuk do të thotë që të bëhet ftesë menjëherë në BE”.
Ambasadori i KE-së: Procesi do të monitorohet me kujdes
Lohan: Zgjedhjet, një test maturie për demokracinë shqiptare
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 janë test i rëndësishëm për maturinë demokratike të Shqipërisë. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare do të vëzhgohet me kujdes nga BE”. Ky ishte qëndrimi i ambasadorit të KE në Tiranë, Helmuth Lohan, gjatë diskutimit të tij në takimet ndërparlamentar Shqipëri-PE. “Për Shqipërinë, 2009-a është një vit i rëndësishëm, pasi ajo së shpejti do të jetë anëtare e NATO, ndërkohë që MSA-ja do të hyjë në fuqi më 1 prill. Zgjedhjet e përgjithshme janë një test shumë i rëndësishëm për maturinë demokratike të vendit. Anëtarësimi në NATO dhe hyrja në fuqi e MSA-së shënojnë fundin e këtyre proceseve. Por, më e rëndësishmja është që këto dy ngjarje shënojnë fillimin e një epoke të re, ku detyrimet e Shqipërisë në planin ndërkombëtar dhe pritshmëria për performancën e saj do të jetë edhe më e madhe se më parë”, deklaroi Lohan. Sipas tij, “sfida më e rëndësishme për Shqipërinë është sundimi i ligjit, vendosja e një sistemi që mbron te drejtën e pronës, por edhe forcimi i kapaciteteve administrative në institucionet shqiptare. Mbeten ende sfida të rëndësishme për t’u përballur në konsolidimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, si vendosja e një sistemi për të drejtat e pronës, forcimi i kapaciteteve administrative në sektorin publik shqiptar”, deklaroi Lohan. Përsa i përket zgjedhjeve të qershorit, ambasadori i KE-së vërejti se përgatitja dhe mbajtja e tyre sipas standardeve do të vëzhgohet me kujdes nga BE. Lohan, duke vlerësuar ndihmën e KE-së dhe OSBE-së për krijimin e regjistrit të shtetasve, për kartat e identitetit, listat e votuesve, elementë të rëndësishëm këto, kërkoi që elektorati shqiptar të ketë mundësi materiale për të siguruar në kohë këto karta që kërkohen ditën e zgjedhjeve. Lohan e vuri theksin edhe te cilësia dhe përbërja e parlamentit të ardhshëm, pasi ai është një tregues i kulturës politike. Ambasadori theksoi se në muajin maj do të ketë mundësi të ndjekin më nga afër procesin zgjedhor, duke bërë thirrje që Parlamenti Evropian të ketë vëmendjen ndaj zgjedhjeve në Shqipëri.
Bregu: Ngritëm bazën zgjedhore për 28 qershorin
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje se qeveria ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e një procesi zgjedhor sipas standardeve të kërkuara. Duke folur në takimin ndërparlamentar Shqipëri-BE, ajo theksoi se tani është modernizuar shërbimi i gjendjes civile si dhe u ngrit regjistri kombëtar i gjendjes civile dhe filloi puna për pastrimin e dublikatave nga listat zgjedhore. “Lidhur me fillimin e procedurave të aplikimeve për dokument identiteti, prodhimi dhe shpërndarja e dokumentit të identitetit të shtetasve, ky proces ka filluar në datën 12 janar 2009 për Tiranën dhe është shtrirë në bashkitë dhe komunat më të mëdha të vendit. Aplikimet për dokumente identiteti kryhen në mbi 400 qendra aplikimi fikse dhe të lëvizshme të shpërndara në të gjithë territorin”, theksoi Bregu. Duke paraqitur të dhënat e aplikimit deri në 17 mars, ministrja e Integrimit tha se kanë aplikuar rreth 277 mijë qytetarë, ndërkohë që numri i aplikuesve pa pasaportë në Tiranë është rreth 45 mijë. Lidhur me kthimin dhe kompensimin e pronave, ministrja Bregu tha se në vitin 2007 përfituan nga kompensimi financiar 119 subjekte. “Fondi për kompensimin financiar për 2008 është 3.8 milionë EUR dhe për 2009 është 4.2 milionë EUR. Sa i përket kompensimit fizik, një numër vendimesh të Këshillit të Ministrave janë miratuar për të transferuar në përdorim të Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave objektet shtetërore, pyjet dhe kullotat, tokën bujqësore, të cilat do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve”, theksoi më tej Bregu.