E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e ekonomisë: Politika monetare të vazhdojë lehtësimin

05-08-2013 / Gazeta 55

Ulja e normës bazë të interesit, Biznesi: Vendimi i vonuar

Konfindustria shpreh rezervat e saj lidhur me kohën dhe ndikimin në ekonomi të vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit.
Konfindustria vlerëson, se sikurse në vazhdimësi në gjithë periudhën kohore, që përkon me krizën globale dhe përcjelljen e pasojave të saj në ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka qenë e vonuar në kohë në marrjen e masave lehtësuese për nxitjen e kreditimit nga sistemi bankar. Vonesat e ndërhyrjeve nga ana e Bankës së Shqipërisë shoqëruar dhe me mundësitë e kufizuara objektivisht për arsye se portofoli i kredive vetëm në 1/4 e masës së përgjithshme është në monedhën kombëtare Lek si dhe me gjendjen e pakënaqshme të shkallës së konkurrencës në sistemin bankar të nivelit të dytë me shenja të dukshme oligopoli, kanë rënduar gjendjen e biznesit dhe ekonomisë reale shqiptare.
Pasoja të qarta të politikave te mësipërme janë rritja në shkallë të lartë dhe prej 25% të kredive me probleme në masën e përgjithshme të portofolit të kredive si dhe përhapjen e dukurisë së rrezikshme të marrjes së parave me fajde nga bizneset si mënyrë plotësuese e kreditimit të munguar nga sistemi bankar.
Konfindustria vlerëson, se sa më sipër jo vetëm nuk ka lehtësuar ndikimin e krizës globale në ekonominë reale të vendit, por e ka renduar më tej duke ndalur në mënyrë skajore kreditimin për biznesin dhe qytetarët edhe pse në raport me vendet e rajonit depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar dhe në mungesë të tregut të kapitaleve kanë qenë në shkallë të kënaqshme. Për më shumë pothuajse gjatë gjithë periudhës kohore të krizës globale 2008-2013 inflacioni ka qëndruar në skajet fundore të shënjestrimit të parashikuar, duke e bërë të pashpjegueshëm mosndërhyrjen në kohë të Bankës së Shqipërisë.
Ekspertët: Politika monetare të vazhdojë lehtësimin/Ulja në 3.5 përqind e normës bazë të interesit shihet nga ekspertët e ekonomisë si një nisëm që synon të nxisë aktivitetin ekonomik e kryesisht kredidhënien. Për ekspertët mund të mbajë nen kontroll normën e inflacionit dhe të shërbejë për uljen e kostos se borxhit te qeverise.
Ardian Civici është i mendimit se në mungesë të hapësirave për stimuj fiskalë, politika monetare duhet të thellojë më tej natyrën e vet stimuluese. Në favor të uljes së normës bazë është edhe Koço Broka. Por, ai shton se Banka e Shqipërisë duhet të jetë më transparente mbi rezultatet e deritanishme të kësaj politike dhe efektet që kanë dhënë uljet e normës bazë. Ulja e normës bazë të interesit ishte e dyta gjatë vitit 2013 dhe e shtata gjatë dy viteve të fundit. Gjithsej norma bazë është ulur me 1.75 pikë përqindje, por transmetimi në çmimin e depozitave dhe kredive ka qënë mjaft i pjesshëm, siç ka pranuar edhe Banka e Shqipërisë. Keqësimi i mjedisit ekonomik, rritja e rreziqeve të perceptuara nga aktorët e tregut dhe shkalla e lartë e kredive me probleme janë faktorë që kufizojnë efikasitetin e politikës monetare ekspansioniste. Në vijimësi gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, rritja e portofolit të kredisë ka qenë e dobët dhe në fund të Qershorit rritja ishte vetëm 0.8% me bazë vjetore. Por, ekspertët bien dakord se pamundësia për të vijuar stimujt fiskalë e bën politikën monetare të vetmin instrument të ngelur për t’i dhënë nxitje direkte ekonomisë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit të lekut me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në nivelin më të ulët historik 3.5 perqind.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›