E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët, leku i fortë deri në shtator

Leku po forcohet ndaj euros si rezultat i të ardhurave nga emigracioni dhe turizmi, por edhe për shkak të rënies së volumit të importeve. Ekspertët në banka, thonë se, rënia e euros në ditët e fundit lidhet mbi të gjitha me faktorët sezonalë, por pjesërisht edhe si rrjedhojë e momentit të vështirë që po kalon monedha e përbashkët europiane në tregjet ndërkombëtare. Sipas tyre leku do të qëndrojë i fortë gjatë gjithë stinës së verës, ndërkohë që një ndryshim i kahut të kursit të këmbimit mund të pritet në shtator. Gjatë 30 ditëve të fundit, euro ka humbur dy pikë e gjysmë në kursin e këmbimit ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro dje ka kushtuar 138.8 lekë. Banka e Shqipërisë gjykon se, kursi i këmbimit ka reduktuar prirjet e tij nënçmuese. Analizat tregojnë se, në tërësi faktorët fondamentalë të ekonomisë po mbështesin një ekuilibër të ri të kursit të këmbimit, i cili dhe pse është më i lartë se tre vite më parë, është në përshtatje të ekuilibrave financiarë dhe ekonomikë në vend, duke mbështetur rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit ka shërbyer për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend. Sakaq, një euro më e fortë ndikon në rritjen e fitimeve për eksportuesit, të cilët nga shitjet jashtë vendit sjellin fitime më të larta në ekonominë vendase.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›