Dorëhiqen në bllok 21 drejtorët e Bashkisë
Drejtorët e bashkisë më të madhe të vendit kanë zyrtarizuar dje dorëheqjen e tyre në bllok nga detyrat që mbanin. Nëpërmjet një deklaratë të përbashkët dorëheqjeje, të gjithë drejtorët e Bashkisë së Tiranës kanë njoftuar vendimin e marrë, duke argumentuar se drejtuesi i ri s’ka legjitimitet. Por, përpos deklaratës dhe qëndrimit të tyre, dorëheqja e 21 drejtorëve të Bashksië së Tiranës, e paraprirë nga ajo e dy nënkryetarëve, Albana Dhimitri dhe Vali Bizhga, drejtoresha e kabinetit, Belinda Balluku, si dhe të gjithë anëtarët e kabinetit të kryetarit të bashkisë, vjen në kohën kur për kryebashkiakun e ri të Tiranës, Lulzim Basha, ka nisur numërimi mbrapsht. Tashmë, sipas vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, kanë mbetur pak ditë që në karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës të ulet Lulzim Basha. “Me krenari për shërbimin e kryer deri këtu, ndaj qytetit tonë, me nderim për çdo qytetar, të cilit kemi pasur privilegjin t’i shërbejmë dhe me keqardhje për pamundësinë që të vazhdojmë punën, nën një lidership pa legjitimitet moral, pavarësisht mbrojtjes që na ofron ligji, për të qëndruar në pozicionet tona, si nëpunës të shërbimit civil dhe shtetit, ne i deklarojmë opinionit publik, dorëheqjen tonë të parevokueshme nga detyra”, - thuhet në deklaratën e dorëheqjes. Në listën e drejtorëve të dorëhequr radhiten 21 emra drejtuesish të sektorëve kryesorë në bashki si: Dritan Agolli, Majlinda Dhuka, Sonila Qato, Albana Koçiu, Irfan Dashi, Enton Punavija, Afrim Qëndro, Ogerta Manastirliu, Migena Vishko, dy kryeinspektorët Zyhdi Dajti dhe Ardit Kraja e të tjerë. Më tej, në deklaratën e dorëheqjes, drejtorët kanë shprehur vlerësimin për punën që ata kanë bërë në Bashki gjatë drejtimit të saj nga Edi Rama, sikurse nuk kanë kursyer as parashikimet e tyre për funksionimin e mëtejshëm të këtij institucioni. “Në gjithë këto vite pune pasionante, me përkushtim e profesionalizëm, falë edhe një lidershipi frymëzues, kemi shënuar të gjithë së bashku rezultate të jashtëzakonshme, duke transformuar rrënjësisht kryeqytetin dhe krijuar një institucion publik të standardeve europiane, Bashkinë e Tiranës. Në këtë institucion kemi gjetur forcën për t’u përballur me çdo sfidë të ndryshimit e zhvillimit të Tiranës, në radhë të parë, falë faktit që na janë garantuar të gjitha kushtet, për të punuar gjithnjë si shërbëtorë të qytetit e të qytetarëve, asnjëherë si rrogëtarë të zgjedhur, përmes lidhjesh politike dhe të varur prej interesave e orekseve të politikës. Këto kushte, të domosdoshme për një institucion, të ngritur mbi meritokracinë dhe respektin për vlerat e aftësitë e çdo individi, siç ishte në gjithë këto vite Bashkia e Tiranës, nuk ekzistojnë më. Fatkeqësisht, nuk ekziston më as themeli moral, mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre”, - shkruhet në deklaratë. Pas këtyre largimeve të pritshme në Bashkinë e Tiranës, ende situata brenda mureve të këtij institucioni nuk është e qetë. Tashmë në zyrat e bashkisë vijon stresi i punonjësve të tjerë, të cilët janë të ndërgjegjshëm se edhe mund të largohen, por nuk duan të humbin vendin e punës. Nëpër korridore punonjësit e thjeshtë diskutojnë me njëri-tjetrin se kryetari i ri për t’u kthyer borxhin e mbështetjes militantëve të tij, të Partisë Demokratike dhe një pjesë të mirë të kërkesave të aleatëve, do të heqë nga puna punonjësit aktualë. Në fakt, kështu ka ndodhur me punonjësit e administratës sa herë ndërrohen drejtuesit, por se çfarë do të ndodhë më pas me punonjësit e tjerë të bashkisë dhe se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë ndaj tyre kreu i ri i saj, kjo mbetet për t’u parë.
21 drejtorët e dorëhequr
Dritan Agolli Administrator i Përgjithshëm
Majlinda Dhuka Drejtor i Përgjithshëm
Sonila Qato Drejtor i Përgjithshëm
Albana Koçiu Drejtor i Përgjithshëm
Viola Haxhiademi Drejtor i Përgjithshëm
Irfan Dashi Drejtor i Përgjithshëm
Arben Seferaj Drejtor i Përgjithshëm
Androkli Kokthi Drejtor i Përgjithshëm
Pal Doçi Drejtor i Përgjithshëm
Joana Bushi Drejtor Drejtorie
Flutura Pulaci Drejtor Drejtorie
Enton Punavija Drejtor Drejtorie
Afrim Qëndro Drejtor Drejtorie
Kujtim Spahiu Drejtor Drejtorie
Anila Shehu Drejtor Drejtorie
Hantin Bonati Drejtor Drejtorie
Ogerta Manastirliu Drejtor Drejtorie
Migena Vishko Drejtor Drejtorie
Julian Zanaj Drejtor Drejtorie
Zyhdi Dajti Kryeinspektor i Policisë Bashkiake
Ardit Kaja Kryeinspektor i Inspektoriatit Ndërtimor