Ekspertët ndërkombëtarë: “Kina, përfituesja më e madhe e krizës botërore”
Ervin Koçi
Ekspertët ndërkombëtarë të ekonomisë e vlerësojnë ekonominë kineze si një “akumulator” që do të grumbullojë të gjitha pasojat negative, por dhe ato pozitive të krizës botërore financiare. Në një kohë që dy javë më parë edhe bursat aziatike u tronditën nga intensiteti i krizës në SHBA, ekonomia kineze, edhe pse me rënie të vogla, vazhdoi intensitetin e saj duke pushtuar tregjet ndërkombëtare. Bursat në kontinentin europian përjetuan një tjetër tronditje dhe këtë fundjavë, me gjithë ndërhyrjen e koordinuar të bankave qendrore në shpëtimin e ekonomisë botërore nga kriza. Bursat e Milanos, Londrës, Frankfurtit etj., pësuan një rritje të papërfillshme pas disa ditësh rënieje dramatike. Në anën tjetër të botës bursat aziatike humbën qindra-miliardë dollarë vlerë aksionesh, pasi vijoi rënia e nisur fillimisht në bursat amerikane, që edhe pas miratimit të planit “të shpëtimit” 700 miliardësh, sërish nuk e kanë marrë veten. Edhe në Rusi autoritetet kanë mbyllur tregtinë e aksioneve në dy bursat kryesore të vendit, me shpresë për të qetësuar gjakrat. Bursa e Moskës ka humbur gati 60 për qind të vlerës në më pak se një muaj. Bankat qendrore vijuan të luajnë një rol agresiv në tregje, duke furnizuar likuiditete të mëdha me qëllim që të shmangnin nevojën e investitorëve për të shitur aksione. Sipas analistëve, “themeli i krizës së sotme qëndron në faktin se kriza e bankave ka lënë investitorët pa linja krediti, duke i detyruar të sigurojnë likuiditete gjetkë”.
Epërsia e Kinës
Lajmi më tronditës për investitorët që ka ardhur ditët e fundit ishte fakti se një fond kinez investimesh në pronësi shtetërore po negocion për të blerë 49 për qind të bankës historike “Morgan Stanley” dhe se kjo e fundit po bëhet gati të shitet në mënyrë që të shpëtojë besimin e investitorëve dhe të shmangë një fund të ngjashëm me “Lehman Brothers”. “Morgan Stanley” e ka të domosdoshme të gjejë një partner të besueshëm për shkak se aksionet e saj kanë rënë tashmë. Sipas ekspertëve, “shumë kompani po frikësohen se Kina mund të bëhet një superfuqi në ‘Wall Street’ pasi kriza botërore e ditëve tona e ka prekur këtë vend shumë pak në krahasim me vendet perëndimore”. Shitja e një pakete të madhe aksionesh të një prej kompanive më legjendare të Nju Jorkut te kompania kineze pritet të shkaktojë përplasje të mëdha politike në Uashington. Politika shpreson se zgjidhja për “Morgan Stanley” mund të gjendet brenda Amerikës. Por vetë kompania kineze nuk ka bërë komente mbi iniciativën e saj.
Kriza në “Wall Street”
Vala e shitjeve që gjatë ditës së djeshme përfshiu bursat aziatike dhe ato europiane është ndjerë edhe në “Wall Street”, ku “Dow Jones” ka rrëshqitur nën 10 mijë pikë.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave treguesit kanë zbritur me 3.18 për qind duke arritur në 9996,76 pikë pasi preku minimumin 9981,78. Sipas këtyre mediave, “Dow Jones” zbret në këtë nivel për herë të parë që nga tetori i vitit 2004. Rënie kanë pësuar edhe bursat e tjera, si “Nasdaq” me -3,98 për qind në 1869,93 pikë dhe “S&P500” me -3,81 për qind në 1057,4 pikë. Në Evropë spikatin rënia prej 7 për qind në bursën e Parisit, -8 për qind në atë të Frankfurtit dhe -19 për qind në atë të Moskës. Rënies i është bashkuar edhe çmimi i naftës, që ka shkuar nën 90 dollarë për fuçi.
7 Tetor 2008