INSTAT: “Shkëmbimet tregtare me Kinën shënojnë rritje”
Shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës shënuan rritje të ndjeshme gjatë 8 muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë, arritën në vlerën 20 miliard e 687 milionë lekë në periudhën janar-gusht. Struktura e importeve nga Kina përbëhet nga makineritë, pajisjet, pjesët e këmbimit, materiale ndërtimi, metale, si dhe tekstile e këpucë. Ndërsa eksportet me Kinën përbëhen kryesisht nga minerale. Importet nga Kina drejt Shqipërisë gjatë kësaj periudhe arritën në 18 miliardë e 122 milionë lekë, ndërsa eksportet 2 miliard e 565 milion lekë. Vetëm gjatë muajit gusht importet arritën në 2 miliardë e 328 milionë lekë, ndërsa eksportet në 930 milionë lekë.
Bie sërish nafta në bursa, çmimet nuk ndryshojnë në tregun shqiptar
Çmimi i naftës kanë njohur një tjetër ulje të re në bursë, ku vetëm dje ajo shënoi 90 dollarë për fuçi, por kjo nuk ka ndikuar për grosistët shqiptarë për të ulur çmimin. Ata vijojnë që të mbajnë të njëjtin nivel çmimi si atëherë kur nafta në bursë arriti kulmin. Premtimi i tyre për të ulur me 5 lekë/litrin duket se nuk është zbatuar në terren. Aktualisht, 1 litër naftë shitet mesatarisht me 145 lekë, 1 litër benzinë me 150 lekë, ndërsa 1 litër euro diezel me 155 ose 150 lekë. Përveç çmimit të euro diezelit, i cili ka pasur luhatje të lehta në pak lekë, çmimet e produkteve të tjera nuk kanë njohur uljen. Kjo shpjegohet edhe me rritjen e kërkesës ditën e fundit për shkak të uljes së temperaturave. Grosistët e kanë hedhur fajin diku tjetër për mosuljen e çmimit. Ata kanë kërkuar që çmimet të përcaktohen nga konkurrenca në treg dhe në frenimin e rritjes së tyre mund të ndikonte vetëm qeveria, nëpërmjet vendosjes së një TVSH-je fikse për litër dhe jo me përqindje, siç është aktualisht. Aktivizimi i kompanive private në sektorin e naftës bruto ka rritur ndërkohë prodhimin vendas, si dhe ka shtuar edhe fitimet neto. Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri pësoi rritje të konsiderueshme gjatë 6-mujorit të parë të vitit, si pasojë e hyrjes në fazën e prodhimit të disa kompanive të reja që gjatë vitit të kaluar qenë ende në fazën e investimit. Sipas të dhënave në fushën e Patos-Marinzës, e cila është fusha më e rëndësishme naftëmbajtëse e Shqipërisë, prodhimi gjatë tremujorit të dytë të këtij viti arriti në rreth 1 mijë tonë në ditë ose 5800 fuçi. Një vit më parë, prodhimi në këtë fushë qe 5200 fuçi në ditë. Gjatë muajve të fundit, 42 puse ekzistuese janë rivënë në punë. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria prodhoi 560 mijë tonë naftë.
Shqipëri-Kosovë, hiqet taksa e fluturimit me avion
Qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës nuk do ta paguajnë më taksën e fluturimit me Kosovën dhe kjo falë një ndryshimi që i ka bërë Kuvendi i Shqipërisë ligjit. Me heqjen e kësaj takse pritet të ulet bileta e udhëtimit me Kosovën dhe një gjë e tillë është përshëndetur edhe nga biznesi. “Konfindustria duke vlerësuar si një lëvizje me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të hapësirave shqiptare krijimin sa më shpejt të Tregut Shqiptar 7 milionësh dhe duke vlerësuar se lehtësimi i lëvizjes së njerëzve është domosdoshmëri për arritjen e qëllimit të mësipërm, bazuar në studimin e plotë të analizave të tregut të fluturimeve të kryer nga industritë përkatëse shqiptare, ka përgatitur planin e masave të nevojshme për të ulur çmimin e biletës së fluturimit vajtje-ardhje Tiranë-Prishtinë me një çmim nën 100 euro”, - është shprehur dje shoqata e biznesit “Konfindustria”.
7 Tetor 2008