E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen krimet pa autor, një vdes dhe një plagoset në atentatet misterioze

Gjendet i vrarë me armë zjarri Frederik Qersaqi në Shkodër. Plagoset 24-vjeçari në Vlorë. Nuk ka asnjë të arrestuar

SHKODËR/VLORË – Shtohet numri i krimeve pa autor. Pas atentateve të ndodhura në Malësinë e Madhe dhe në Mirditë, edhe dy të tjera janë regjistruar në Shkodër dhe Vlorë, ku ka mbetur i vrarë një 50-vjeçar dhe është plagosur një 24-vjeçar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se në fshatin Dajç është gjetur trupi i pajetë i shtetasit Frederik Qersaqi, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mushan të komunës Dajç të Bregut të Bunës. Sipas tyre, dyshohet se Qersaqi është vendosur përballë një prite dhe është qëlluar me armë zjarri të tipit pistoletë dhe kallashnikov. Po dje burimet policore të Vlorës raportuan për një atentat pa autor në Skelë të Vlorës, ku mbeti i plagosur shtetasi Olgert Mustafaraj, banor në qytetin bregdetar.
Prita
Një 50-vjeçar nga rrethi i Shkodrës ka rënë viktimë e një prite të organizuar nga persona të paidentifikuar. Trupi i Frederik Qersaqit është gjetur në vendin e quajtur “Lisi në varra”, një vend që ndodhet në zonën ku ai banon, rreth 20 kilometra larg qytetit të Shkodrës, nga kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Sipas të dhënave të para zyrtare, viktima është qëlluar me armë zjarri të llojit kallashnikov dhe pistoletë. Plumbat e armëve janë gjetur në trupin e 50-vjeçarit.
Policia nuk bën të ditur detaje lidhur me këtë ngjarje, pasi sipas saj është ende e veshur me mister. Grupi hetimor i mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen. Sipas të dhënave të para dyshohet se ai është vrarë ditë më parë dhe pastaj është hedhur në kanal. Policia ka shoqëruar disa persona, por ende nuk ka të dhëna për identifikimin e autorëve të atentatit. Ndërkohë, janë vënë postblloqe në zonën e vendit të krimit, ku po ushtrohen kontrolle dhe po merren në pyetje persona të ndryshëm.
Atentati
Mbrëmjen e së dielës është plagosur në rrethana misterioze një 24-vjeçar nga qyteti i Vlorës. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se i dëmtuar ka mbetur shtetasi Olgert Mustafaraj. “Ai është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë plagë në këmbë dhe në pjesën e krahëve”, - thanë të njëjtat burime. I riu është transportuar me urgjencë në spitalin kirurgjik të qytetit ku ndodhet ende në kujdesin e mjekëve. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në zonën e Skelës, në lagjen “Pavarësia”, të Vlorës, por ai ka deklaruar se është qëlluar nga persona që udhëtonin me një automjet tip “Benz”. Materialet i kanë kaluar tashmë prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që policia po heton për zbardhjen e ngjarjes. Dy javë më parë ndodhen dy atentate në Malësinë e Madhe, ku u vra në një pritë Enver Hysenaj dhe në fshatin Kodër Spaç në Mirditë. Për të dyja krimet ende nuk ka persona të identifikuar apo prangosur nga policia.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›