E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtimi i universiteteve, faktor pozitiv për arsimin



Gëzim TUSHI

Nuk më hiqet kurrë nga mendja përcaktimi që ka bërë filozofi dhe sociologu i madh amerikano japonez Francis Fukuyama, detyrës dhe misionit të arsimit të lartë për kohën moderne, që besoj se meriton të jetë pjesë e trajtimit edhe në debatin tonë . Sipas tij “Qëllimi i vetëshpallur i arsimit modern është t’i “lirojë” njerëzit nga paragjykimet dhe format tradicionale të autoritetit… t’i bëjë njerëzit të kërkojnë më shumë nga vetvetja dhe për vetveten; me fjalë të tjera, ata të arrijnë një ndjenjë të veçantë të dinjitetit që dëshirojnë të respektohet nga qytetarët e tjerë dhe nga shteti”.
Personalisht kjo optikë e gjerë e shikimit të misionit të arsimit të lartë nuk mund dhe nuk duhet të neglizhohet as nga strukturat e politikë-bërjes arsimore dhe veçanërisht në punën e institucioneve të arsimit të lartë.

2. Universiteti misioni social dhe pedagogjik
Gjithnjë kur flasim për arsimin në tërësi dhe shkollën e lartë, veçanërisht, gjykimet përgjithësisht i bëjmë duke e parë atë më shumë si një institucion konservativ, të mbyllur brenda vetes dhe jo si institucion me spektër dhe ndikim të gjerë social. Në këtë kontekst, debati i iniciuar nga gazeta Albania dhe Instituti i Sociologjisë është një rast i shkëlqyer që në mënyrë të lirë dhe publike, të bëjmë shkëmbimin e lirë të ideve tona për shkollën e lartë, rolin, misionin dhe destinacionin e saj, duke i parë problemet e “brendshme” në një kënd-shikim më të gjerë socio-pedagogjik. Kjo do të thotë se ka ardhur koha për ta parë shkollën tonë të lartë, si institucion “përtej vetes”, me rrezatim social, politik, ekonomik dhe zhvillimor. Për hir të së vërtetës, si sociolog, por dhe si pedagog, gjithnjë më kanë shqetësuar dhe më janë dukur të cekëta, të vakëta shikimet sempliste dhe jo gjithëpërfshirëse të lidhjes së universiteteve tona me ritmet e jetës moderne, ose nënvleftësimi indikimit reciprokisht univok midis tyre. Në të vërtetë kjo çështje nuk është problem i ri për shkollën e lartë moderne, europiane dhe amerikane. Ka kohë, madje dekada që studiues të shquar, pedagogë dhe sociologë, i janë vënë punës për ta parë shkollën e lartë në një optikë të re, të interferimit social me “botën e jetës”. Personalisht mendoj se me qenë se debati i çelur është i gjerë, nuk do të ishte e tepërt që atë ta shikojmë edhe në aspektin e lidhjes empirike (jo vetëm teorike) me demokracinë, zhvillimin e ekonomisë, urbanizimin dhe modernitetin e jetës sociale në Shqipëri, në të cilën siç po duket ndikimi i arsimit të lartë është konsistent. Duke respektuar gjykimet e kolegëve në këtë debat, personalisht do të dëshiroja që problemin ta trajtojmë edhe nga një shikim më utilitar. Ndaj nuk do të ishte keq që problematikat e shumta të shkollës së lartë, përveç shikimit dhe analizës “anatomike” nga brenda, analizës së problemeve “endemike” e kontradiksioneve që ka, duhet ta vlerësojmë edhe në kënd-shikimin e tij në raport me konsolidimin e demokracisë, zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës tonë. Eksperienca e vendeve demokratike këtë “trekëndësh” të zhvillimit paralel, me të njëjtën gjatësi vale të arsimit, demokracisë dhe ekonomisë, e ka gjetur si “çelës suksesi”. Neve nuk na mbetet që të bëjmë “zbulime” as pedagogjike, sociale dhe politike, por të gjejmë mekanizmin lidhës, “tutkallin socio-pedagogjik” që bën të mundur veprimin e integruar, sinkron të synimeve pedagogjike e shkencore të shkollës së lartë, të përgatitjes paralele së studentëve tanë në funksion të ndërtimit të shoqërisë moderne, të demokracisë liberale, të qëndrueshme dhe të ekonomisë së tregut funksionues.

3. Procesi i zgjerimit të Arsimit të Lartë
Në këtë kontekst, unë nuk jam fare dakord me zërat pesimistë që kanë filluar të kontestojnë zhvillimin dhe zgjerimin e shtrirjes gjeografike, sasior, ekstensiv të arsimit të lartë, në emër të “mungesës së standardeve” apo të shumë argumenteve të tjerë frenues dhe konservatorë. Nuk ka pse e shikojmë gotën gjysmë bosh. Le ta shikojmë nga ana tjetër. Padyshim nuk them që arsimi të bëhet “sofër qorrash” dhe as të liberalizohet duke e dëmtuar cilësinë e saj. Por kjo nuk realizohet duke zgjeruar ambiciet negative dhe xhelozitë private të arsimit të lartë publik me atë privat, apo aq më pak, xhelozitë që vijnë nga konkurrencat dhe rivalitetet me natyrë ballkanike. Nuk ka dyshim, arsimi i lartë, zgjerimi i tij, konsolidimi i rrjetit të universiteteve të diversifikuar dhe me pluralitet pedagogjik, është mjeti që të tjerët e kanë përdorur me efektivitet dhe e kanë vënë në shërbim të modernizimit dhe urbanizimit të jetës, të rritjes së të ardhurave dhe nivelit kulturor të shoqërisë.
Në se e shikojmë arsimin e lartë me këtë optikë edhe ne, atëherë jo vetëm ai do të konsolidohet, por dhe përfitimet social-ekonomike do të jenë të dukshme. Duhet të jemi ca më shumë vizionarë dhe të mos trembemi, as të mos mendojmë me nuanca obskurantizmi, këtë shpërthim të universiteteve, këtë zgjerim të jashtëzakonshëm të të rinjve që do të përgatiten në to. Shoqëria shqiptare është sipas mendimit tim, në periudhën e fillimit të periudhës së “post-modernitetit” të saj. Natyrisht, treguesi i parë i kësaj periudhe në përgjithësi është zgjerimi i rrjetit të universiteteve, shtimi i numrit të studentëve, zgjerimi i elitës intelektuale dhe menaxheriale që do të drejtojë të gjithë sektorët e jetës publike dhe private, administratën, biznesin, etj. Shqipëria tani duket se ndjen nevojën që buron nga brenda, për të pasur gjithnjë e më shumë elitarizëm intelektual dhe profesional, i cili padyshim nuk ka nga të vijë, veç nga “aulat” e universiteteve tona. Shoqëria jonë tani është në fazën e nevojave intensive për njerëz të ditur, të arsimuar, të aftë, menaxherë të suksesshëm, që në gjuhën sociologjike shpesh quhen “jakë-bardhë”(njerëz të mendjes, administrimit dhe menaxhimit).
Ne jemi demokraci e re dhe kemi shumë nevojë për njerëz të arsimuar. Natyrisht në mënyrë cilësore. Unë jam dakord me objeksionet e kolegëve të mi, që kanë ngritur në “Skanerin” e gazetës Albania. Por, ajo që nuk mund të pranohet është se ka shumë doza dyshimi, ngurrime skepticiste që vënë në dyshim të vërtetën universale të shoqërisë moderne, se pa zgjerim të rrjetit të universiteteve dhe të numrit të studentëve që mësojnë në to, nuk mund të ecim në rrugën e duhur të modernitetit socio-ekonomik. Madje këtë vlerë të veçantë të arsimit të lartë duhet ta shikojmë edhe tej “kufijve të kufizuar” gjeografikë dhe mendjes së atyre që kanë ngritur “kujën”, dhe po përpiqen t’i vënë “shkopinj nën rrota” këtij procesi të zgjerimit progresiv të njerëzve që do të kenë mundësi të mbarojnë arsimin e lartë. Unë mendoj se ndikimi i larmisë së universiteteve tona, do të ketë impakte me spektër shumë më të gjerë se ajo me të cilën e gjykojmë ne sot. Zhvillimi i shoqërisë dhe ekonomisë tone, ka nevojë për “aktorë të rinj” shoqërorë, të cilët nuk kanë ku përgatiten veç në universitetet tona. Aty, vetëm aty, do të përgatiten stafet e reja të drejtimit dhe menaxhimit, përballuesit dhe sfidantët e kërkesave të reja profesionale të ekonomisë sonë në zgjerim. Aty do përgatiten qeveritarët e ardhshëm lokalë dhe kombëtarë, deputetë e ministra, shkencëtarë dhe akademikë. Madje, pa këtë rrjet të zgjeruar dhe cilësor të universiteteve tona, nuk mund të lehtësohet as procesi natyrshëm i integrimit të të rinjve tanë në tregun e hapur global të punës. Në këtë kontekst, ndoshta duhet parë përgjegjësia e përgatitjes sa më cilësore, duke e konsideruar shkollën e lartë si të vetmin mjet që kemi, për të plotësuar kërkesat dhe “ruajtur shëndetin profesional” të ekonomisë, shkencës dhe kulturës sonë.
Universitetet tona janë përballë sfidës së “autoritetit të tyre”, janë në provën e eficiencës, përballë konkurrencës dhe kërkesave intensive të botës moderne. Ato nuk duhet ta shikojnë veten e tyre vetëm brenda “auditorit”, por duhet të mendojnë se si mund t’i përgatitin studentët me të vërtetë, që ata të përballen me sfidat e jetës, të konkurrimit në këtë shoqëri moderne me teknologji ultra të përparuar. Jo vetëm kaq, por statusi i shoqërisë sonë është i lidhur me arsimin dhe “nivelin e shkollimit” të njerëzve tanë. Është koha e “universalizimit të arsimit”, e kthimit të shkollimit të të rinjve tanë, në një proces sa më masiv e të demokratizuar, duke plotësuar kështu akoma më mirë të drejtën e të gjithëve për shanse të barabarta shkollimi.
Kur gjykojmë për veprimtarinë e universiteteve tona, pavarësisht pretendimeve dhe ekzigjencave të domosdoshme, me natyrë profesionale dhe akademike, të cilat janë të ligjshme, të dorës së parë, nuk duhet të harrojmë ca të vërteta të tjera, akoma më të përgjithshme dhe me vlerë të shkollës së lartë. Arsimimi i sa më shumë njerëzve është kusht direkt dhe indirekt me “vlerë ndihmuese” për demokracinë tonë të re, në rrugën e konsolidimit të saj. Nuk duhet menduar në mënyrë sempliste për rolin e shkollës së lartë duke e parë atë vetëm nga kënd-shikimi i personalizuar pragmatist i “studentit të veçantë”. Shkolla jonë e lartë ka detyrë të ketë synime institucionale, përtej shikimit sepmlist të individit, duke menduar misionin të vështirë e të pandryshuar, që të përgatisë studentët me qytetari, me aftësi të përshtatjes sociale në këtë shoqëri që ka marrë rrugën e individualizimit të pakthyeshëm, duke kultivuar sjellje tolerante dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky mision i shkollës sonë të lartë nuk është i tepërt…
* Autori i shkrimit është anëtar i Institutit të Sociologjisë

“Skaner sociologjik”, forum i organizuar nga gazeta “Albania” dhe Instituti i Sociologjisë

Oponencë në “Skaner” për numrin e universitete

Fillojnë përplasjet e para mes pjesëmarrësve në debatin “Skaner sociologjik”, që po zhvillohet me nismën e gazetës “Albania” dhe Institutit të Sociologjisë. Në numrin e sotëm Gëzim Tushi rreshtohet në krahun e atyre që mendojnë se shpërthimi i universiteteve është një faktor pozitiv për Arsimin e Lartë dhe zhvillimin e shoqërisë sot. Ai del kundër një kategorie, të cilët janë kritikë ndaj përmasave dhe zgjerimit në kohë dhe hapësirë të shkollave të larta private në vendin tonë. Duke e konsideruar këtë proces si një faktor pozitiv, ai shtron çështjen e ri-përcaktimit të misionit të arsimit të lartë dhe vizionit të tij. Në gazetë kanë ardhur mendime kundër këtij opinioni. Ndaj moderatorët janë të hapur që të mirëpresin mendime nëse shtimi i universiteteve private është një faktor pozitiv apo jo për arsimin e lartë në vendin tonë.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›