Nuk plotësoi detyrimin ndaj të atit dhënë nga gjykata, përfundon në pranga
Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Sabri Tusha, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka shkelur vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Nr. 6556, datë 11.07.2008, ku në të është përcaktuar qartë detyrimi ndaj babait të tij. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “veprimeve në kundërshtim me vendimet e Gjykatës”, parashikuar nga neni 321 i Kodit Penal.
Guxoi t’i merrte varësen e floririt një shtetasi, ndalohet i mituri
Tiranë – Një i mitur u ndalua nga policia në Kamzë pasi dyshohet se i vodhi varësen nga qafa një shtetasi. Burimet policore thanë për gazetën se dje rreth orës 15:30 u bë arrestimi nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë i shtetasit Xh. B., 16 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamzë. Arrestimi i tij u bë pasi dje dyshohet se në Institutin Bujqësor, pranë tregut, në bashkëpunim me një bashkëmoshatarin e tij, i kanë vjedhur (nga qafa) një varëse floriri një shtetasi. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.
Ndihmoi për kalim të paligjshëm të kufirit, dërgohet në paraburgim
Tiranë - U bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit nga seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Tiranës, për shtetasin Dilaver Hajdari, 40 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Tiranë. Ndaj tij, Gjykata pranë Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurimit “arrest burg”, për këtë shtetas, pasi akuzohet për konsumim të veprës penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.
Tentuan t’i vidhnin me forcë celularin bashkëmoshatarit, prangosen
Tiranë - Seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe shkatërrimit të pronës arrestoi në flagrancë shtetasit: Liridon Frroku, 18 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Ervin Peçi, 18 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse dyshohen se në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë tentuar t’i vjedhin me dhunë telefonin celular një bashkëmoshatari të tyre. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 139, 25 dhe 22 të Kodit Penal.
7 Tetor 2008