E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët, skeptikë për lirimin e kredive për shtëpi

SHKRUAN: Sabina Veizaj 12-08-2011 12:32

Milva Ikonomi, presidentja e institutit ‘Agenda’, i konsideron të nxituara konkluzionet e Bankës së Shqipërisë përsa i përket vrojtimit për kreditimin në tremujorin e dytë të vitit 2011. Sipas saj, është një paradoks që kredia për biznesin është shtrënguar dhe ajo për konsumatorët në kahun e kredimarrjes për shtëpi të jetë liruar. Ajo shprehet skeptike lidhur me këtë realitet të paraqitur nga Banka e Shqipërisë. “Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, rezulton se janë shtrënguar standardet për të kredituar biznesin, në të njëjtën kohë që kërkesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është rritur për t’u kredituar, ndërsa e bizneseve të mëdha ka rënë. Pra, është rritur garancia për kolateral. Që do të thotë se bizneset vënë si garanci dyqan apo hyrje pallatesh që ndërtojnë. Nga ana tjetër ka nisur të procedohet me metodën e kleringut. Një ndërtues në marrëveshje me kompani pllakash, hidraulike, elektriciste etj. u kërkon që të përfundojnë të gjitha punimet në këmbim me një hyrje. Nga ana tjetër, fakti i BSH-së, që është rritur kërkesa për kredi për shtëpi, duhej të ishte ulur çmimi, por kjo nuk ka ndodhur. Tregu i ndërtimit është në kaos, nuk ka blerje. Në këtë kuptim, më duket pak i nxituar konkluzioni i Bankës së Shqipërisë se janë rritur kërkesat për kredi për shtëpi” – u shpreh Ikonomi për gazetën MAPO.

Duke iu referuar rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2011, nga Banka e Shqipërisë tregojnë se standardet e kredisë vijuan të lehtësohen për individët dhe të shtrëngohen disi për bizneset, megjithatë vihet re kriza e theksuar e besimit nga ana e konsumatorit. Rezultatet e vrojtimit të BSH-së tregojnë se standardet e aplikuara në kreditë dhënë individëve vijuan të jenë të lehtësuara edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011. Sipas llojit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kredinë konsumatore ashtu dhe për atë për blerje banese. Referuar rezultateve të vrojtimit, përqindja neto e bankave që raportojnë lehtësim të standardeve të kredisë, dhënë individëve me qëllim blerjen e banesës është 16.2%, rreth 10.4 pikë përqindjeje më e lartë se ajo e shënuar në tremujorin e mëparshëm. Sipas ekspertëve të bankave, kanë qenë konkurrenca në sistemin bankar, gjendja e likuiditetit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë që kanë ndikuar për lehtësimin e standardeve të kredisë për individët. Megjithatë, raporti evidenton se gjendja financiare e individëve dhe gjendja e huave me probleme vijojnë të kontribuojnë negativisht në standardet e kredisë. Ndërkaq raporti tregon se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011, në të njëjtën linjë dhe me pritjet e shprehura në vrojtimin e kaluar, kërkesa e individëve për kredi është vlerësuar në një shkallë më të ulët se në tremujorin e parë të të njëjtit vit. 11.3% është raportuar kërkesa për kredi për shtëpi nga bankat, nga 14.3% që ishte në tremujorin e kaluar. Sipas raportit, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit kontribuan negativisht në kërkesën për kredi të individëve në tremujorin e dytë të vitit 2011. Sipas vlerësimeve të ekspertëve të bankave, pritet që standardet e kredisë për individët do të vijojnë të jenë të lehtësuara edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›