E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti amerikan: “Kosta Trebicka vdiq aksidentalisht”

Sipas Kevin Teeter ka qenë makina ajo që ka shkaktuar vdekjen. Prokuroria merr në cilësinë e provës konkluzionet e Kevin Teeterit

Tiranë - Eksperti amerikan, Kevin Teeter, përfundoi raportin për shkakun e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka duke e konsideruar ngjarjen si një aksident të pastër. Nëpërmjet një letre dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, eksperti amerikan ka dhënë versionin e tij të vdekjes të biznesmenit Trebicka, njëkohësisht dhe dëshmitarit kyç të një prej ngjarjeve më të bujshme në Shqipëri, trafikut të armëve të vjetra mes Shqipërisë dhe Afganistanit. Në raportin tashmë në tryezën e Prokurorisë, Teeter e ka konsideruar vdekjen e Trebickës aksident të pastër automobilistik. “Trebicka ka marrë një kthesë të fortë në anën e majtë. Këtë e dëshmon edhe makina, e cila është batuar në anën e djathtë. Makina ka rënë mbi trupin e Trebickës, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që për shkak të pjerrësisë së rrugës makina ka lëvizur mbrapsht për afro 40 metra. Kjo shpjegon dhe faktin pse trupi i pajetë gjendej larg nga automjeti i dëmtuar”, - bëri të ditur Prokuroria disa nga detajet në raportin e ekspertit amerikan.
Kevin Teeter erdhi në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar rreth vdekjes së Trebickës.
Vdekja
Trebicka u gjet i vdekur në një fshat të thellë të Korçës më 12 shtator të këtij viti. Vdekja e tij ngjalli dyshime pasi ai konsiderohej si një nga dëshmitarët kryesorë të aferave të tregtisë së armëve mes shtetit shqiptar dhe një firme amerikane për t’i dërguar në Afganistan. Policia e konsideroi vdekjen e tij aksident, kurse Prokuroria kërkoi mendimin e një eksperti amerikan për të dalë më pas në një përfundim zyrtar. Ishte Kevin Teeter, specialist auto-teknik për aksidentet, që mbërriti në Shqipëri dhe hetoi makinën e Trebickës dhe vendin ku biznesmeni u aksidentua. Hetimi për vdekjen e Trebickës konsiderohej prej ditësh i bllokuar për shkak të raportit të pambërritur të ekspertit amerikan. Përmbajtja e raportit që mbërriti para dy ditësh u bë dje publik nga Prokuroria. Opozita e konsideroi vdekjen e Kosta Trebickës si një eliminim që atij iu bë nga njerëz të cilët kishin organizuar trafikun e armëve nga Shqipëria në Afganistan. E vërteta është që për Kosta Trebickën, duke u nisur nga ajo që ai vetë kishte dëshmuar, ekzistonin të gjitha motivet për ta eliminuar fizikisht. Eksperti amerikan provoi që në fakt kanë ekzistuar gjithë shkaqet që vdekja e tij të ketë qenë pasojë e një aksidenti fatal automobilistik.
Analiza
Teeter ka mbledhur pak kohë më parë të dhëna të imtësishme, sidomos për pjesën e goditur të makinës dhe pozicionin e saj, ndërsa ishte ekspertiza kompjuterike në Shtetet e Bashkuara që përcaktoi vetëm itinerarin e saj. Përpos listës së të dhënave të konstatuara te makina, Teeter ka marrë me vete dhe karakteristikat topografike të zonës, ndërsa kombinacioni i tyre i ka lejuar kompjuterit profesional në SHBA të përcaktojë itinerarin dhe vetitë që do të aplikonte mjeti mbi drejtuesin e tij në atë lloj itinerari. Puna në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë dhe aq e thjeshtë, ndërsa i gjithë perimetri i zonës së aksidentit është fotografuar me satelit dhe është planimetruar në kompjuter. Fotografimet topografike u detajuan në skenën e planimetruar në kompjuter, ndërsa faza e dytë kishte lidhje me hedhjen e të dhënave të mjetit, nga ku më pas, në mënyrë inteligjente dhe shkencore, kompjuteri dha versionin e tij.

3 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›