E Diel, 1 Nëntor 2026

Një burrë gjendet i mbytur në një fshat të Elbasanit, dyshohet flijimi



ELBASAN – Një burrë në moshën rreth 40 vjeç është gjetur i mbytur në një rezervuar pranë vendbanimit të tij dhe dyshimet e para hidhen për një vetëflijim. Neshat Tola, 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Funar, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit, u gjet i pajetë në rezervuarin pranë lagjes ku ai banonte. Dëshmitarët i thanë policisë se i ndjeri, i cili u gjet i vdekur sot në mëngjes, një natë më parë gjendej në lokalin e fshatit në shoqërinë e disa miqve. Ai është larguar vetëm dhe shoqëruesit e tij në lokal, kanë menduar se i ishte drejtuar shtëpisë.
Në të vërtetë, 40-vjeçari ka shkuar në drejtim të rezervuarit, ku edhe dyshohet se në rrethana të një depresioni mendor të çastit, të jetë vetëzhytur në përpjekje të suksesshëm për t’i dhënë fund jetës. Gjithsesi, policia tha se po e heton me kujdes rastin, për shkak se në afërsi të vendit të mbytjes, u gjetën disa veshje të të ndjerit, që shtojnë dyshimin se viktima më parë është zhveshur dhe pastaj ka hyrë në ujërat e rezervuarit ku dhe u gjet i mbytur.

Drejtori i KESH-it të rrethit Mat plagoset rëndë në incident rrugor

MAT – Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për rajonin e Matit, Luan Rami, ka mbetur i plagosur rëndë sot në një aksident rrugor. Burimet zyrtare informojnë se ngjarja ka ndodhur sot pak para mesdite, në rrugën kombëtare që lidh Milotin me Burrelin, pranë fshatit Skuraj. Luan Rami ishte duke kryer një udhëtim pune në Tiranë dhe ka pësuar aksident ndërsa ishte duke përshkuar aksin rrugor dhe në një moment ende të paqartë, ka humbur drejtimin e automjetit. Për pasojë, makina në të cilën ai gjendej, doli nga rruga duke rënë në greminë, disa dhjetëra metra poshtë. Dëshmitarë në vendngjarje, e kanë ndihmuar të plagosurin që të nxirret nga humnera dhe e kanë dërguar sa më shpejt që mundeshin në spitalin vendor, ku mjekët thonë se gjendja e tij mbetet e rëndë.

Bie zjarr, shpërthejnë municionet e hedhura në moçal

BERAT – Një zjarr ka rënë në lagjen që ndodhet në hyrje të qytetit të Beratit, duke shkaktuar edhe një seri shpërthimesh. Ngjarja ka ndodhur në zonën moçalore të lagjes që ndodhet në hyrje të qytetit Berat, ku një zjarr në rrethana ende të paqarta ka përfshirë një zonë të pabanuar. Por në flakë e sipër, ndërsa forcat zjarrfikëse po i afroheshin vatrës së zjarrit, janë dëgjuar një seri shpërthimesh. Këto shpërthime detyruan policinë dhe zjarrfikësit që të qëndrojnë për pak kohë larg vatrës së lokalizuar të zjarrit. Burimet policore bënë të ditur se në zjarr, kishin shpërthyer një numër ende i pacaktuar armësh dhe municionesh që dyshohet se janë fshehur aty nga persona të paidentifikuar, pas trazirave të vitit 1997. Pas pak orësh që kishte nisur zjarri, shpërthimet kanë reshtur dhe policia në bashkëpunim me forcat e Repartit të Mbrojtjes Kundër Zjarrit, bënë të mundur lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e tyre.

U premtoi vizë, u mori lekët dhe u zhduk

DURRËS – Dy ditë më parë u bë e mundur kapja dhe ndalimi i personit të kërkuar Besnik Bytyçi, vitlindja 1961, lindur e banues në Lagjen Nr. 13 Durrës, me arsim 8 klasë, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë. Shtetasi në fjalë është shpallur në kërkim nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik e Financiar Durrës më datë 27.09.2008 për arsye se dyshohet se më datë 27 shtator 2008, në bashkëpunim edhe me shtetasin kosovar Rasim Smajli, kanë mashtruar disa shtetas të cilëve u kanë marrë shumat prej 60 eurosh dhe 500 lekësh me pretendimin se do t’i punësonin në Mal të Zi. Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një diplomë e Universitetit të Tiranës, e paplotësuar. Materialet për veprën penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve shkollore i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

3 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›