E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: “Bandes se Durrësit ti zevendesohen avokatet”



Laureta Rryçi

Tiranë - Banda e Durrësit mund të mbrohet nga avokat kryesisht, që do të paguhen nga shteti. Burime zyrtare nga Gjykata e Krimeve të Rënda pohuan dje për gazetën “Albania” se sjellja e avokatëve të 17 të pandehurve i ka detyruar t’i drejtohen me shkresë zyrtare ministrit të Drejtësisë. Kësaj herë ankesa nuk ka qenë për masë disiplinore, por për zëvendësimin e tyre me avokat të tjerë që duhet të kenë përgjegjësinë e korrektësisë. Të njëjtat burime shpjeguan se shkak për këtë kërkesë është bërë mungesa e herë pas hershme e avokatëve që janë zgjedhur nga të pandehurit për t’i mbrojtur në sallën e gjyqit. Dosja e bujshme mbi bandën e Durrësit ka mbërritur prej disa muajsh në Gjykatën e Krimeve të Rënda, mirëpo zhvillimi normal i procesit gjyqësor nuk është mundur dot të realizohet. Kolegji penal ka fajësuar avokatët për këtë gjendje të krijuar duke kërkuar zëvendësimin e tyre.
Shkresa
Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i duhet të vendosë nëse banda e Durrësit do të mbrohet me avokatë kryesisht, apo jo. Shkresa e nisur nga Gjykata e Krimeve të Rënda kërkon një përgjigje që do të ketë dhe në dorë fatin e procesit gjyqësor. Por, ndërsa ministri mund ta pranojë si kërkesë, ende nuk dihet qëndrimi që do të mbajnë të pandehurit. Këta të fundit duhet të shprehen nëse pranojnë të mbrohen me avokatë kryesisht që do të paguhen nga shteti dhe jo më nga xhepi i tyre.
Të pandehurit
Të akuzuarit e kësaj dosjeje janë Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi. Sipas Prokurorisë, nga viti 1998 deri në vitin 2002 Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kanë qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale. Më pas mes drejtuesve të kësaj organizate ka pasur konflikte si pasojë e mosmarrëveshjeve në lidhje me kontrollin e trafikut të drogës dhe kontrollin e pasurive të vëna nga këto trafiqe duke çuar në ndarjen e tyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh.

Ishte dënuar për vrasje, ekstradohet nga Italia

TIRANË - Një 36-vjeçar nga Puka, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 22 vjet heqje lirie për vrasje, u ekstradua dje nga Italia. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, bënë të ditur se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, bënë të mundur ndalimin dhe ekstradimin po sot nga Italia të shtetasit shqiptar Ferit Memaj, lindur në Fierzë, Pukë. Memaj ishte dënuar më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë me 22 vjet heqje lirie për “vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje”.
Sipas burimeve të mësipërme, mësohet se ngjarja për të cilën akuzohet Memaj ka ndodhur në 5 prill 1999 në fshatin Fierzë të rrethit të Pukës, kur ai ka vrarë për gjakmarrje shtetasin Lood Filip Rexha. Në aeroportin “Nënë Tereza” i ekstraduari iu dorëzua autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vuajtjen e dënimit.

Minatorët nisin protestat për realizimin e kërkesave të tyre

TIRANË - Minatorë të ardhur nga të gjitha qytetet, siç kishin paralajmëruar, u vendosur dje paradite para Kryesisë së Kuvendit. Protesta nisi rreth orës 10:00. Moti i keq dhe shiu nuk ishin në favor të minatorëve, për të zhvilluar një protestë masive ashtu siç e kishin parashikuar për të kërkuar statusin e minatorit. Minatorë mbanin në duar parulla si “Sindikalizëm, jo hipokrizi” apo “10 vjet nën tokë, 50 vjet në pension”. Gjatë protestës minatorët u përplasën me policinë. Përplasja ndodhi pasi policia kërkoi të shoqëronte në polici kreun e shoqatës së minatorëve Fiqiri Xibrin. Veprimi është kundërshtuar nga minatorët të cilët nuk kanë lejuar që policia të marrë në makinë kryetarin e tyre.
Një përfaqësi prej 3 minatorësh i është drejtuar kryeministrisë për të kërkuar një takim me kryeministrin Berisha ose një përfaqësues të qeverisë. Ata lanë një afat kohor prej 60 minutash për kryeministrin Berisha që ose vetë ai personalisht, ose përfaqësues të Kryeministrisë të zhvillojnë një takim me minatorët. Takimi kishte qëllim caktimin e afatit konkret për plotësimin e kërkesave të minatorëve, pasi në të kundërt ai paralajmëroi përshkallëzim të protestës, deri në bllokim të rrugëve në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë një grup minatorësh ndodhen në grevë urie prej 7 ditësh.

Grabitet sapo doli nga shtëpia kambisti, i morën 50 mijë euro

TIRANË- Një kambist është grabitur dje në mëngjes në qytetin e Tiranës. Sipas të dhënave të para të policisë, persona ende të paidentifikuar grabitën me armë Fari Fanxhon në afërsi të Gjykatës së Rrethit gjyqësor të Tiranës. Grabitësit kanë pritur sapo kambisti 55 vjeçar ka dalë nga banesa e tij në rrugën Gjergj Fishta dhe nën kërcënimin e armëve i kanë grabitur shumë prej 50 mijë eurosh. Pas marrjes së informacionit në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore, u formua grupi i posaçëm hetimor, ku nën drejtimin e Prokurorit po punojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të kësaj vjedhje. Fari Fanxho, me punë kambist, përgjatë momenteve të vjedhjes, ka qenë duke dalë nga banesa dhe hipur në automjetin tij, e ndodhur në rrugën “Gjergj Fishta” në Tiranë, ku nën kërcënimin e armës nga autorët e dyshuar, ata janë larguar menjëherë duke i vjedhur shumën e parave rreth 50 000 euro.

Prezantohen drejtuesit e rinj në Drejtorinë rajonale të Policisë Korçë

Korçë - Në mjediset e Drejtorisë rajonale të Policisë së Korçës, drejtori i Policisë së Korçës, Emri Vata, prezantoi dje paradite titullarë të rinj dhe drejtues sektorësh të policisë. Nga dita e sotme, zv.drejtor në Policinë rajonale të Korçës është Ilir Dedja, i cili ka zëvendësuar në këtë detyrë Ylli Dodën. Dedja vjen në këtë funksion pas angazhimit në sektorin e krimeve të rënda në Ministrinë e Brendshme. Ndërsa Doda është emëruar specialist në Ministrinë e Brendshme. Po sot u prezantua dhe Astrit Demollari, i cili vjen në detyrën e shefit të Komisariatit të Devollit pas angazhimit në sektorin e antiterrorit në Ministrinë e Brendshme. Ai zëvendëson shefin e komanduar të këtij komisariati, Ilir Kote, i cili është emëruar zv.shef i Komisariatit të Korçës.

3 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›