Di Paolo: “NATO-ja shpreson anëtarësimin e plotë të Shqipërisë”
Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giampaolo di Paola, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, me presidentin Topi, kryeministrin Berisha dhe ministrin e Mbrojtjes, Oketa. Gjatë këtyre takimeve Di Paola është shprehur se Aleanca e Atlantikut të Veriut po shpresin që Shqipëria të bëhet sa më parë anëtare me të drejta të plota. Gjatë fjalës së tij, Di Paola ka vlerësuar ndihmën e dhënë nga Ushtria shqiptare në disa misione të përbashkëta me NATO-në në vende të ndryshme të botës. “Dua të rikonfirmoj rëndësinë e mbështetjes që Shqipëria po ofron për Aleancën dhe të shpresojmë se Shqipëria të behet anëtare me të drejta të plota në muajt e ardhshëm. Ky është një vlerësim për shqiptarët, Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe një vlerësim i punës jashtëzakonisht të madhe që ky vend ka bërë për t’u bërë një anëtar i respektueshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe një anëtar i ardhshëm i NATO-s. Shqipëria tashmë po mbështet NATO-n në shumë operacione, jo vetëm NATO-n, jo vetëm në Afganistan, por edhe disa misione të BE-së dhe me anëtarësimin e Shqipërisë kontributi do të jetë edhe më i madh”, - është shprehur Di Paola gjatë deklarate dhënë pas takimit me kryeministrin Berisha. Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, ka bërë të ditur se Shqipëria do të realizojë në mënyrë të shpejtë reformat që kërkohen nga NATO-ja për të merituar anëtarësimin me të drejta të plota në këtë aleancë. “E sigurova admiralin Di Paola se reformat do të jenë ‘perpetum mobile’ dhe se ato do të interesojnë të gjitha fushat, nga reformat politike, me të cilat Shqipëria do të konsolidojë të gjitha standardet e një demokracie funksionale, reformat e tregut, me të cilat Shqipëria do të garantojë një ekonomi tregu të lirë dhe funksionale, reformat e Forcave të Armatosura, me të cilat Shqipëria do të ketë një ushtri profesionale të vogël, të stërvitur mirë dhe të aftë për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë aleancë”, - është shprehur Berisha.
3 Tetor 2008