Anastas Duro, zëvendësministri i qeverisë “Nano”, tashmë ministër i qeverisë “Berisha”
Kryeministri Berisha ka emëruar Anastas Duron në postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ndërsa ka firmosur shkarkimin e Kosta Barkës, pas kërkesës së bërë nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka firmosur dy dekrete, pikërisht atë për shkarkimin e ministrit Barka dhe atë të emërimit të Anastas Duros. Ky i fundit ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Drejtësisë në vitet 2003-2005, pikërisht gjatë qeverisjes së socialistëve. Kryesia e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i propozoi kryeministrit Berisha emrin e Andrea Martos, i cili ka mbajtur postin e sekretarit të Përgjithshëm të kabinetit të ish-ministrit Barka. Kryeministri Berisha nuk e ka pranuar këtë propozim për shkak se Marto ishte shkarkuar nga Barka për mungesë në punë. Pikërisht për postin e ministrit, në vend të Barkës, Berisha ka mbështetur propozimin tjetër të PBDNJ-së, për emërimin e Anasatas Duros. Vetëm pak ditë më parë Kryesia e PBDNJ-së vendosi shkarkimin e Barkës nga posti i ministrit, duke pretenduar se ai nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në krye të kësaj ministrie. Por, sipas burimeve, në thelb të kërkesës për shkarkim ka qenë konflikti që ka pasur ish-ministri Barka me një nga njerëzit e afërt të kryetarit Dule, pikërisht Andrea Marton.
3 Tetor 2008