“IBM”, perandoria e re e Barcelonës

Iniesta, Bojan e Mesi vlejnë sa një perandori. Tre talentet e mëdha të Barcelonës tashmë janë kodifikuar me logon "IBM", duke bërë një paralelizëm me markën e njohur amerikane të prodhimit të kompjuterave. Gjenerata më e fundit e klubit katalanas ka marrë edhe përgjegjësinë e sezonit për të përballuar edhe sfidat e vështira të kampionatit spanjoll.
Trioja magjike
"Iniesta (23 vjec), Bojan (17) dhe Mesi (20) janë duke dëshmuar kapacitet, talent dhe fuqi mendore për të tërhequr para "makinën" e Barcës, duke bërë të harrohen "katër muskutierët": Ronaldinjo, Henri, Eto'o, ku përfshihej edhe Mesi, por ky i fundit e ka merituar plotësisht epitetin', - shkruan gazeta spanjolle "El Deportivo", një gazetë e afërt me klubin e drejtuar nga Hoan Laporta. Ronaldinjo po bën një sezon të errët, Eto'o për tre muaj i dëmtuar dhe Henri jo në në shkëlqimin që pritej, dhe tre "djelmoshat" kanë marrë përgjegjegjësinë e tyre për të mbrojtur emrin e madh të Barcelonës. Trioja "IBM" konsiderohen si perlat më të shtrenjta të kantierit "azulgrana", të rinj, të talentuar, në përmirësim të vazhdueshëm. Një biznes i pastër i Barcës: në aspektin sportiv dhe atë ekonomik. "Djemtë e shtëpisë" konsiderohen si e ardhmja e kampit barcelonas.
Ar i pastër
Mesi është vetëm 20 vjec. Sulmuesi argjentinas është imazhi më tërheqës në futbollin modern: fitoi para pak ditësh "Topin e bronztë" nga revista franceze "France Football" dhe aspiron të behët numri 1 në botë si fitues i "FIFA World Player". I konsideruar si "Maradona i ri", Mesi është objekti i dëshirave të klubeve më të mëdha të futbollit. Interi i Moratit e ëndërron prej kohësh, por të gjithë e dinë se ai është historia moderne e Barcës, për fanellën e të cilës luan qysh kur erdhi 13-vjecar nga Argjentina. Klauzola e prishjes së kontratës së tij vlen 150 milionë euro, por ajo që vlen më shumë është fakti se Mesi e konsideron veten të lidhur përjetësisht me Barcës.
Referencë cilësore
Iniesta është një rast i ngjashëm. Lojtari i rritur te Albasete ka superuar cdo pengesë për të qenë një referencë aspak zhgënjyese e ekipit të parë. Një lojtar cilësor, numri 12 i Barcës, tërheq vazhdimisht rivalët e mëdhenj te Reali i Madridit, të cilët kanë dashur të paguanin 60 milionë euro për të prishur klauzolën e kontratës së tij. Iniesta ka një kontratë deri në vitin 2010 me Barcelonën, Mesi deri në vitin 2014, por drejtori i përgjithshëm "azulgranas" është duke përgatitur kontratën e re për ta.
Talent tërheqës
Me 17 vitet e sapombushura, edhe pse ka një diferencë me Mesin e Iniestën, Bojan Kërkic ndodhet ende në "fazën e premtimit", edhe pse ka luajtur 10 ndeshje në Primera Divizion. Kërkic është një talent tërheqës për momentin, por që gjithcka do të varet nga ai për të ardhmen. Edhe pse u fol se trajneri i Kombëtares spanjolle Luis Aragones dëshironte ta përfshijë në përfaqësuesen e tij për Euro 2008, përgjigja e teknikut iberik ishte se Kërkic është shumë i ri për të grumbulluar për Euro 2008. "Ne mund ta thërrasim atë, dhe është e mundur që të debutojë në një ndeshje miqësore, por ai është shumë i ri për Kampionatin Europian". Bojan ka luajtur në të gjitha nivelet për "Furia Roja", deri në skuadrën U-21, por nuk do ta ketë fatin e anglezit Teo Uallkot që u thirr nga Sven Goran Eriksoni për Botërorin 2006.
Goli i parë i Bojanit
Në 20 tetor të vitit 2007, Bojan bëri edhe ndeshjen e tij të parë në formacionin startues të Barcelonës në ndeshjen në transfertë kundër Vilarealit, duke shënuar në minutën e 25-të. Ishte goli i tij i parë për klubin duke e shndërruar atë edhe golashënuesin më të ri të gjitha kohërave për Barcelonën në një ndeshje kampionati. Bojani shënoi golin e tij të dyyë për Barcën në paraqitjen e tij të parë në "Kamp Nou" në fitoren 3-0 kundër Rekreativon.