Ekspertimi, në varrin masiv kishte dy femra
Eshtrat në Dajt
Sipas mjeko-ligjorëve, gjithsej janë 14 skelete, dy prej të cilëve janë të seksit femër. Në fundjavë pritet të përcaktohet koha e ekzekutimit dhe mosha e viktimave, çka do të ndihmonte në ekzaminimin e tyre
Artan CENA
TIRANë – Ekspertët mjeko-ligjorë përfunduan dje ekzaminimin e eshtrave të gjetura disa ditë më parë në një varr masiv pranë malit të Dajtit, ku zyrtarisht kanë qenë 14 skelete, nga të cilat dy janë të seksit femër. Përfundimet zyrtare janë nxjerrë dje, ndërsa mësohet se puna e mjeko-ligjorëve vazhdon për të përcaktuar kohën e saktë të vrasjes dhe gjetjen e mundësive për identifikimin e kufomave nëpërmjet metodës së antropologjisë mjekësore. Por edhe pse është nxjerrë shifra e viktimave që ndodheshin në varrin masiv me sipërfaqe rreth 70 metra katrorë, ende mjeko-ligjorët nuk kanë arritur të përcaktojnë moshën e viktimave, vitin kur ata dyshohet se janë ekzekutuar dhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me procedurat e Mjekësisë Ligjore për identifikimin e viktimave. Paraprakisht, dyshohet se eshtrat që u përkasin 14 personave janë varrosur shumë kohë më parë, ndërsa koha e ekzekutimit të tyre mendohet të jetë pas vitit 1975.
Ekspertiza
Sipas të dhënave, skeletet e gjetura në rrëzë të malit të Dajtit janë rindërtuar dhe ndaj tyre kanë filluar ekzaminimet shkencore si: përcaktimi i gjinisë, gjatësisë trupore dhe marrjen e kampioneve kockore. Disa prej eshtrave kanë pasur mospërputhje, çka tregon se ato janë të personave të ndryshëm dhe për pasojë duhet një gërmim më i specializuar në zonën ku janë gjetur kockat, me qëllim zbulimin e eshtrave të tjera, të cilat do të shërbejnë në rikonstruksionin e plotë të tyre. Mjekësia Ligjore shtoi se tashmë janë marrë të gjitha masat për ekzaminimin e plotë të eshtrave që u përkasin personave të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Kockat do t’u nënshtrohen një sërë analizash, duke filluar nga ato shkencore e deri te krahasimet e ndryshme. Identifikimi i tyre do të zgjasë disa kohë, pasi ato janë hedhur në mënyrë të çrregullt nga personat që i kanë zbuluar. Madje, mësohet se edhe kafka që u gjet më vonë, nuk përputhet me asnjërin nga skeletet e gjetura. Sipas specialistëve, vendi ku u gjetën eshtrat i ngjasonte një miniere të vërtetë, pasi për vite me radhë shumë persona kanë gërmuar aty me shpresën se do të gjenin trupat e familjarëve të tyre. çdokush që gërmonte, arrinte të gjente skelete njerëzish, por pas kryerjes së analizave, këto eshtra ose pranoheshin nga të afërmit, ose sërish ktheheshin në vendin ku ishin gjetur. Madje, një pjesë e tyre dërgoheshin për ekzaminim më të specializuar në Itali.
Identifikimi
Megjithatë, nga analiza antropologjike të skeleteve të gjetura do të saktësohen shumë të dhëna. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore shpjegojnë se verifikimi i këtyre vlerave identifikuese nis që me pastrimin e eshtrave. Fillimisht, eshtrat pastrohen nga gjithë pjesët e mbetura në to, ku janë të përziera me dhera. Këto kampione dërgohen për analiza, për të zbuluar nëse në brendësi të tyre ka edhe substanca të tjera. Specialistët shpjegojnë se zakonisht në dherat përreth skeleteve gjenden dhe vlerësohen mbetje që mund të kenë ardhur nga kalbëzimi i objekteve të ndryshme. Zakonisht, këta persona, qoftë ata të vrarë apo të vdekur nga shkaqe të tjera, kur janë varrosur, kanë pasur orë, unaza, rripa apo sende të tjera me vete. Gjithashtu, këto mbetje analizohen dhe ekspertët nxjerrin përfundimet se një kufome të tillë mund t’i përkasin këto sende personale. Gjithashtu, edhe në veshjet që mund të kenë pasur, sidomos me kopsat, mund të rezultojë ndonjë e dhënë për identifikimin e tyre. Eshtrat u gjendën pak ditë më parë në një varr masiv me një sipërfaqe rreth 70 metra katrorë në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv, në fshatin Qerret, pranë malit të Dajtit, në Tiranë. Ende nuk dihet se kujt i përkasin eshtrat e gjetura, por besohet se ato janë të të pushkatuarve të epokës së komunizmit.
Gjetja e eshtrave
Kanë qenë kërkimet e një personi, i cili ishte duke kërkuar eshtrat e babait të tij, që ka gjetur edhe varrin e madh. Varret ishin të gjithë në një luginë pranë kodrave të Dajtit. Bëhet fjalë për njërën prej zonave të pabanuara të Linzës, në rreze të malit të Dajtit, ku u nxorën në dritë brenda pak ditësh më shumë se 14 skelete njerëzish, që mendohet se u përkasin të pushkatuarve gjatë kohës së komunizmit. Gjatë mbrëmjes së djeshme për këtë çështje ka reaguar zyrtarisht edhe policia e Tiranës, e cila tha se eshtrat janë gjetur nga familjarë të të zhdukurve në kohën e komunizmit, në një luginë në fshatin Qerret, komuna Dajt, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv, Tiranë.
Përkujtimi i të vrarëve
Mazhoranca cakton 20 shkurtin si Ditën e Kujtesës për Viktimat e Komunizmit
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje me unanimitet votash të mazhorancës propozimin e qeverisë që data 20 shkurt të përcaktohet si Dita e Kujtesës për Viktimat e Regjimit Komunist. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike u tërhoq nga qëndrimi i shprehur pak ditë më parë, që të ishte data 29 nëntor e çdo viti, që të caktohej për një përkujtim të tillë. Megjithatë, data 20 shkurt është zgjedhur për shkak të simbolikës që ajo mbart, sepse më 20 shkurt të vitit 1991 u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”. Deputeti demokrat Gent Strazimiri, i cili mbrojti projektvendimin në fjalë, tha se do të ishte më e përshtatshme që të caktohej data 29 nëntor në vend të datës 20 shkurt. Pavarësisht këtij “kontestimi”, të gjithë deputetët e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhanë “OK” e tyre në unanimitet për datën 20 shkurt. “Dita i plotëson kushtet për të përkujtuar krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Duhet një përkujtim dinjitoz i krimeve dhe viktimave të komunizmit”, tha më tej Strazimiri. Kjo iniciativë e qeverisë përcakton gjithashtu edhe vendosjen e një obelisku dhe të një muzeu për krimet dhe viktimat e regjimit komunist. Fillimisht deputetët demokratë kishin deklaruar se data që do të përzgjidhej do të ishte 29 nëntori, datë e cila përputhet me përkujtimin që e majta i bën çlirimin të vendit. Ky propozim fillestar hasi menjëherë kundërshtimet e forcave të majta, përfshirë Lëvizjen Socialiste për Integrim, që është në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike.