E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncoi gruan e vrarë tek emisioni Njerëz të humbur

Haki Miskja ka shkuar të falet në xhami pasi vrau gruan e tij dhe pastaj kërkoi ndihmën e televizionit për ta gjetur “bashkëshorten e zhdukur”

Tradhtia

“Ish-gruan, Mimozën, e vrava pasi ajo më tregoi gjatë rrahjes se më tradhtonte me Xhevat Gjatën. Nuk e mbaj mend se çfarë viti ishte, pasi ka shumë kohë. Mbaj mend se ishte festa e Bajramit të Vogël. Kur u ktheva nga Greqia, gjeta në dhomën e gjumit një palë këpucë”

Marsela Kalaja

LIBRAZHD - Vrasësi i pamëshirshëm i Librazhdit ka kërkuar që të ekzekutohet nga gjykata pa hezitim, pasi është shprehur i vetëdijshëm për krimet që ka bërë. Dje në mesditë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Elbasan është dhënë masa e sigurisë së arrestit me burg për Haki Miskën, 50 vjeçarin nga Pervalli i Librazhdit, i cilësuar si një nga vrasësit më të pamëshirshëm të këtij shekulli. Prokurori i çështjes, Binas Nina, ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjeve në rrethana cilësuese të dy ose më shumë personave të parashikuar nga neni 79 germa d dhe dh e Kodit Penal. Gjyqtarja Idush Maliqi e ka cilësuar të drejtë këtë akuzë dhe ka vendosur menjëherë masën e sigurisë së arrestit me burg për autorin. Por vetë Haki Miskja gjatë marrjes në pyetje ka pranuar tri nga katër vrasjet për të cilat akuzohet dhe tentativën e vrasjes së vajzës së tij, Besiana Miskja. Madje me mjaft qetësi ai ka deklaruar para trupit gjykues, se ndjehet fajtor dhe se duhet të vritet nga gjykata. “Dua të vdes, pasi kam bërë disa vrasje dhe jam i përgjegjshëm për të gjitha krimet e mia. Unë e meritoj vdekjen, ndaj i kërkoj gjykatës që të më vrasë”. Haki Miskja nuk ka preferuar të mbrohet nga avokati. “Nuk dua avokat, unë deklaroj se kam vrarë disa njerëz dhe skam pse të mbrohem”. Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësja Idush Maliqi, ai ka treguar sesi i ka kryer vrasjet. “Ish-gruan, Mimozën, e vrava, pasi ajo më tregoi gjatë rrahjes se më tradhtonte me Xhevat Gjatën. Nuk e mbaj mend se çfarë viti ishte, pasi ka shumë kohë. Mbaj mend se ishte festa e Bajramit të Vogël. Kur u ktheva nga Greqia gjeta në dhomën e gjumit një palë këpucë. Rreth orës 22:30 bëra debat me gruan dhe pastaj kur ramë në gjumë filluam të grindeshim më shumë. Fillova ta qëlloj me grushte dhe shkelma pa mëshirë. Nga dhimbjet ajo më tregoi, duke më thënë se shkonte me Xhevat Gjatën. Fillova sërish ta rrah, derisa i ra të fikët. Fëmijët qanin në korridor. Por unë u bërtita, duke i thënë që të shkojnë të flenë gjumë. Dhe ata të frikësuar shkuan në shtrat. Rreth orës 2-3 të mëngjesit e mbështolla me batanije dhe e dërgova te vendi i quajtur Lugu i Miskut. Aty kam hapur një gropë 1.70 metra të thellë dhe e futa në varr. E mbulova me dheun përreth, pasi toka ishte e pluguar e do të mbillej misër. Pastaj shkova në shtëpi dhe pasi u lava e u pastrova, u nisa për në xhaminë e fshatit. Aty jam falur deri në orën 7 të mëngjesit. Pastaj u ktheva në shtëpi dhe u dhashë bukë fëmijëve. U thashë që mami është larguar nga shtëpia dhe ka ikur në drejtim të paditur. Fëmijët e besuan atë që u thashë. Pas dy ditësh shkova në polici dhe kreva denoncim për zhdukjen e gruas. Të gjithëve kështu u thashë. Madje, për ta bërë të besueshme zhdukjen e gruas, një vit e kërkova edhe tek emisioni “Njerëz të humbur”. Askush, as policia dhe hetuesit nuk mundën të zbulonin gjë. Toka ku e varrosa është e rrezikshme dhe ka pësuar disa herë rrëshqitje”.

Haki Miskja ka dëshmuar se një vit më vonë ka masakruar ish-njerkun e tij, Gani Brugu. “Ganiu ishte njerku im, i martuar me nënën time, Dije Brugu. Një ditë i gjeta të dy duke punuar në parcelën time. U afrova dhe i thashë që kjo është toka ime. Por ai më tha se kam pjesën e gruas. U grindëm dhe unë nisa ta qëlloj me grushte dhe shkelma. E rraha keq, duke e lënë pa ndjenja. Prezente ka qenë edhe nëna ime, Dija. Pastaj e morën dhe e çuan në spital. Pas katër ditësh vdiq në Tiranë. Në marrëveshje me nënën time dëshmuam në polici sikur ai ra nga kumbulla dhe koka i ra në gur. Të njëjtën dëshmi dha edhe vëllai i tij, pasi ashtu i thamë ne”.

Arrestohet e dashura e Hakiut, nënë e 8 fëmijëve

E tradhtoi gruaja, por edhe Hakiu kishte të dashurën e tij në fshat. Madje asaj i ka treguar gjithë historitë e tij. Por Lefteria nuk ka pasur kurrë guximin të tregojë, pasi kishte frikë nga ekzekutimi i të dashurit. Lefteri Alla rezulton nënë me 8 fëmijë, megjithatë ka pasur gjithmonë kohë të bëjë dashuri me Haki Miskën. Ajo ka komunikuar edhe në çastet e fundit me celular me Hakiun. Dje policia arrestoi 51-vjeçaren nën akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Dije Brugut. Ajo mund të akuzohet edhe si person që ka pasur dijeni për krimet e kryera dhe i ka fshehur ato.

Dëshmia

Nënën e vrava, se më hodhi kripë në gjellë

LIBRAZHD - Gjatë dëshmisë së tij Haki Miskja ka treguar edhe për vrasjen e tij më të fundit, atë të nënës, që ka pasur një motiv edhe më banal sesa vrasjet e tjera të kryera nga 50-vjeçari. “Më 4 shkurt isha në pyll për të bërë dru. Erdha i lodhur dhe i thashë nuses së djalit që të më shtronte bukën. Atë çast aty ishin Beharja dhe Rexhina. Nëna me vajzën ishin në kasollen e bagëtive dhe erdhi duke më sharë e më hodhi një grusht me kripë në gjellë. Unë i hodha pjatën fytyrës. Vendosa të iki të pi një kafe në lokalin e fshatit. Por kur po dilja, ajo më qëlloi me një dru në kokë. Atëherë i nxehur mora sëpatën dhe e qëllova disa herë, derisa vdiq. Në atë kohë vajza ndërhyri për ta shpëtuar. Por i nxehur qëllova edhe atë. Pasi e vrava, mora sëpatën, të cilën e hodha 10 metra larg shtëpisë. Kur arrita te varrezat nga pas pashë dy djemtë e mi, Ismetin dhe Gentianin, që më ndiqnin duke më thënë: “Ku do të shkosh”. Unë mora rrugën drejt malit të Pervallit dhe ata s’më ndoqën më. Pas pak më mori policia në telefon, duke më pyetur se ku isha. E mbylla celularin duke mos iu treguar. Pastaj e hapa sërish dhe mora në celular kushërirën time, Lefterie Alla. Ajo më tha se nuk kishte më punë me mua, se celularin mund ta përgjonte policia dhe se fshati ishte i rrethuar. Pasi u fsheha 3-4 orë në mal, u afrova sërish afër shtëpisë, duke qëndruar i fshehur në një kasolle. Aty mora rroba dhe ushqime dhe ika. U fsheha në një stan në mal, derisa më kapi policia”. Haki Miskja ka mohuar që të jetë autor i vrasjes së mësuesit të fshatit, Qamil Lluka. “Me sa kam dëgjuar, ai ka rrëshqitur dhe ka rënë nga lartësia në humnerë. Kaq di për këtë ngjarje”, ka dëshmuar në polici dhe gjykatë Haki Miskja. Megjithatë, policia dhe hetuesit dyshojnë se ai është autor edhe i kësaj vrasjeje, pasi sipas dëshmive viktima i kujtonte shpesh Hakiut se gruaja e tradhtonte me një njeriun e tij. Sipas veprës penale të ngritur, Haki Miskja rrezikon nga 20 deri në burgim të përjetshëm. Prokurori i çështjes pritet që të kërkojë për vrasësin mizor burgim të përjetshëm.

Reagimi

Banorët, të varet në mes të fshatit

Banorët e fshatit Pervall janë çliruar nga makthi 15-vjeçar. Ata janë shprehur se ndjehen mjaft të çliruar dhe se tani mund të qëndrojnë qetësisht në fshat e familje. “Mbylleshim që në muzg nëpër shtëpi, pasi hija e Hakiut na ndiqte kudo. Ne dyshonim se ai kishte kryer vrasje, por policia nuk e zbulonte dot. Ishte mjaft i rrezikshëm, ishte hajdut, vrasës dhe njeri i pamëshirshëm”. Ndërsa një banor tjetër pohon se drejtësia duhet që ta ndëshkojë maksimalisht: “Duhet që të varet në qendër të fshatit. Ai ishte një monstër, duhet që të vritet”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›