E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes pas katër ditësh në spital polici rrugor

Kastriot Alia dha shpirt në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Spitalin Ushtarak, ku ishte dërguar me urgjencë, pas përplasjes nga një autoveturë teksa ishte në shërbim. Policia tha se drejtuesi i mjetit kishte qenë i dehur

Aleks Kalemasi

Durrës – Nuk ka mundur t’u bëjë ballë dëmtimeve të rënda që kishte pësuar nga aksidenti dhe ka dhënë shpirt, ndonëse nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Ka vdekur pas katër ditësh në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë punonjësi i policisë rrugore, Kastriot Alia. Efektivi i policisë rrugore të Durrësit u aksidentua mbrëmjen e së mërkurës javën e kaluar në aksin rrugor Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Koxhas. Kastriot Alia, 50 vjeç, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi gjendja e tij shëndetësore nuk pati asnjë përmirësim prej katër ditësh.

Punonjësi i policisë rrugore ishte baba i tre fëmijëve, ndërkohë që ceremonia e varrimit të tij pritet të zhvillohet sot në orën 12.00. Familja e punonjësit të policisë është vizituar dje nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ndërkohë që është njoftuar edhe një vizitë e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. Para ceremonisë së varrimit është njoftuar edhe mbajtja e homazheve nga ora 10:00-12:00 në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Në njoftimin e saj për këtë ngjarje, policia e Durrësit ka bërë të ditur se Kastriot Alia ka vdekur rreth orës 04:30 në Spitalin Ushtarak. Dy ditë më parë dhjetëra efektivë të policisë së Durrësit kanë dhuruar gjak për të ndihmuar në shpëtimin e jetës së tij, por gjendja shëndetësore e tij nuk pati asnjë ndryshim. Punonjësi i policisë u aksidentua rreth orës 16:20 në autostradë në kohën që ishte në detyrë. Sipas burimeve policore, Kastriot Alia bashkë me një koleg të tij ishin duke kontrolluar dokumentacionin e një mjeti që kishte ndaluar në krahun e djathtë të autostradës Tiranë-Durrës. Në këtë kohë ka ardhur me shpejtësi një fuoristradë më targa të Tiranës dhe e ka goditur, duke e hedhur disa metra tej. Që atë ditë ai kishte pësuar thyerje të këmbës, dorës dhe hemorragji të brendshme. Policia arrestoi për këtë ngjarje drejtuesin e fuoristradës me targa TR 2609 S, Afrim Byberi, 36 vjeç, i cili është dënuar më parë për vrasje nga pakujdesia. Burimet policore kanë bërë të ditur për këtë ngjarje, se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa makina e tij ka dalë nga rruga edhe si pasojë e reshjeve të shumta dhe rrugës së lagur.

Krujë

Kapet arsenali i armëve, në kërkim autori

Policia e Krujës ka zbuluar një arsenal të konsiderueshëm armësh në banesën e një shtetasi nga Kruja. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës kanë bërë të ditur se në banesën e shtetasit Sulejman Hoxha, 53 vjeç, lindur në Rrezë dhe banues në lagjen “Hoxhë” janë gjetur disa armë zjarri dhe qindra fishekë. Operacioni i koduar me emrin “Brava” ka bërë që në banesën e tij të gjenden dy armë automatik model 56, një pushkë 20-she model 63, 490 fishekë pistolete TT të kalibrit 7.62 mm, 32 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm dhe 4 krehra fishekësh. Policia ka sekuestruar arsenalin e armëve dhe ka shpallur në kërkim shtetasin Sulejman Hoxha, i cili është larguar në drejtim të paditur.

A. K.

Kakavijë

Përshkallëzohet greva, “mbyllet” sërish kufiri

Kakavijë - Përshkallëzimi i grevës së doganierëve grekë ka rikthyer sërish problematikën e lëvizjes së automjeteve në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas nëpërmjet tri doganave kufitare të Qarkut të Gjirokastrës. Mëngjesin e së martës, ashtu siç kishin paralajmëruar, doganierët grekë kanë rinisur bojkotin e punës, i cili do të zgjasë për 72 orë rresht. “Pala greke na ka njoftuar se doganierët grekë do të rikthehen në punë mëngjesin e së premtes”, thonë burime në Policinë Kufitare në Gjirokastër. Gjatë zhvillimit të grevës në të dyja anët e kufirit do të lëvizin vetëm këmbësorët ndërkohë që do të bllokohet totalisht qarkullimi për automjetet. Nga ana e saj, policia e Gjirokastrës ka kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që gjatë ditëve të zhvillimit të grevës të mos udhëtojnë në drejtim të Greqisë, pasi vetëm kështu mund të shmanget kaosi dhe radhët e pritjes në kufi. Kjo është herë e tretë brenda disa javësh që doganierët grekë bojkotojnë punën, duke shprehur kështu kundërshtinë e tyre për reduktimin e vendeve të punës në sektorin e doganave.

B. Sh.

Korçë

Gardiani kapet me hashash për të burgosurit

Prangat

Denis Ismailani ka përfunduar në gjendje arresti, pasi i janë gjetur 10 gramë drogë të llojit kanabis sativa, të cilën ishte duke e futur brenda ambienteve të burgut

Korçë - Kapet me drogë një gardian burgu në Korçë, valë largimesh nga burgu i sigurisë së lartë. Ka përfunduar në pranga pas një informacioni një gardian burgu, i cili u kap me drogë për një të burgosur. Nis hetimi për uniformat e burgut, priten largime të drejtuesve të lartë të këtij institucioni. Burgu i Drenovës në Korçë është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Një punonjës i këtij burgu ka përfunduar në pranga, ndërsa tentoi të furnizonte me hashash një të dënuar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës, kur gardiani u kap gjatë kohës që kishte marrë shërbimin. Burime të policisë lokale kanë bërë të ditur për gazetën, se shtetasi Denis Ismailani ka përfunduar në gjendje arresti, pasi i janë gjetur 10 gramë drogë të llojit kanabis sativa, të cilën ishte duke e futur brenda ambienteve të burgut. 30-vjeçari Ismailani, punonjës i këtij burgu, kishte marrë me vete pakon e drogës, për të cilën dyshohet se ishte porositur nga një i burgosur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia.

Pas prangosjes së gardianit kanë filluar hetimet për ngjarjen, ndërkohë që burime nga Drejtoria e Burgut të Drenovës bëjnë të ditur për gazetën se ka filluar hetimi për një pjesë të turnit të ditës kur u kap ish-gardiani. Dyshohet që ky i fundit në bashkëpunim dhe me disa kolegë të tjerë jepnin favore për të burgosurit me objekte të ndaluara, ndërkohë që përdorimi i hashashit duhet se është një tjetër problematikë në këtë burg. Pas ngjarjes, pritet të ketë lëvizje të shumta, ndërsa të njëjtat burime i kanë bërë të ditur gazetës se në shënjestër janë disa drejtues, ndërkohë që nuk përjashtohet largimi i drejtorit aktual të këtij burgu, Petrit Bazelli. Ky i fundit, theksojnë të njëjtat burime, vetëm pak ditë më parë ka marrë kritika të ashpra nga drejtuesit e lartë të Drejtorisë së Burgjeve për disa çështje të brendshme, të cilat nuk bëhen publike për vetë rëndësinë e tyre.

I. Vreto

Shkozet

Banorët, protestë

për gjendjen e

keqe të rrugës

Shkozet - Qindra banorë të lagjes 14 në Shkozet kanë protestuar dje për gjendjen e rrugës, ku prej muajsh po kryhen punime. Banorët kanë protestuar për vonesat që kanë lindur në rikonstruksionin e kësaj rruge, punimet e së cilës kanë filluar që në korrik të vitit të kaluar. Rruga në fjalë është tejet e amortizuar, ndërkohë që qarkullimi i mjeteve kryhet me mjaft vështirësi, për shkak të gropave të mëdha. Në protestë kanë marrë pjesë edhe shumë drejtues furgonësh që bëjnë linjat interurbane nga Durrësi në drejtim të qyteteve të Shijakut, Sukthit dhe Tiranës. Banorët akne bllokuar për afro një orë vendin te rrethrrotullimi i Shkozetit dhe kanë kërkuar që firma ndërtuese të përshpejtojë punimet për mbylljen e këtij segmenti me gjatësi 2 km. Reshjet e ditëve të fundit e kanë vështirësuar mjaft gjendjen e rrugës, ndërkohë që firma zbatuese e punimeve ka përfunduar deri tani vetëm trotuaret, rrjetin e kanalizimeve dhe vendosjen e ndriçuesve të saj. Rikonstruksioni i aksit rrugor Ura e Dajlanit-Nish Tulla është pjesë e ndërtimit të baipasit të Shkozetit me vlerë prej rreth 13 milionë euro. Ky segment fillon nga mbikalimi i autostradës Tiranë-Durrës, në Shkozet dhe përfundon në mbikalimin e plepave. Faza e parë e ndërtimit përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypasit të Durrësit me gjatësi 5 kilometra dhe gjerësi 35.5 metra, me brez të gjelbër ndarës, trotuare, si dhe rrugë paralele shërbimi në të dyja anët. Në këtë segment përfshihet edhe ndërtimi i katër rrethrrotullimeve, si dhe nënkalimi hekurudhor i Shkozetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›