E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza: Gjendja mendore e Viktor Gushit, normale

TIRANE- Viktor Gushi njeriu i cilësuar si vrasës serial, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes së arkëtares së bankës NBG, Leonora Kaloçi dhe vrasja e argjendarit Rrapo Sinani, plagosja e tre personave dhe 15 grabitje në banka, filiale të postës e ujësjellësit është në gjendje mendore të mirë.

Ky është përfundimi në të cilin kanë mbërritur ekspertët e Shërbimit të Provës dhe të Mjekësisë Ligjore, shkruan sot gazeta Panorama. Sipas ekspertëve, gjendja normale mendore e bën të përgjegjshëm para ligjit. 

Po ashtu raportet mjekësore arrijnë në përfundimin se Gushi nuk ka qenë nën efektin e drogës në momentin që ka kryer grabitjen e degës së NBG.
Viktor Gushi u arrestua mbrëmjen e 29 marsit në një operacion të mirë organizuar nga policia e Tiranes, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi intensiv. 
Ai u arrestua 48 orë pas tentativës së vjedhjes me armë të filialit të NBG Bank pranë sheshit “Shtraus”, në Tiranë, ku si pasojë e përdorimit të armës mbeti i plagosur, roja i bankës, shtetasi Skënder Elmazi si dhe u plagos, duke gjetur vdekjen më pas në spital, punonjësja e bankës, shtetasja Leonora Kaloci.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›