E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza: Shoferi humbi kontrollin e autobusit

Sipas policisë së shtetit, aksidenti ka ardhur pasi drejtuesi i saj Zef Frroku ka humbur kontrollin e autobusit.

“Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë i kryesuar nga Prokurori i rrethit Pukë, ka konkluduar se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit Zef Mark Frroku (Gjergji)”, thuhet në njoftim.

Sipas organeve të hetimit, nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht.

Policia sqaron se nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim, ndërkohë gjendja e rrugëve ishte e rregullt. Nga raporti i mjekësisë ligjore nuk rezulton që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit.

Ndërkohë nga pyetja e dëshmitarëve nuk rezulton të ketë pasur mjet tjetër në momentin e ndodhjes së aksidentit. Nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›