E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza psikike: Griselda e tronditur, ka halucinacione

01/07/2011  Tre mjekë psikiatër, e nxjerrin të papërgjegjshme mendërisht Griselda Zaimin

TIRANE-Griselda Zaimi, ish-bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi që sajoi historinë e rrëmbimit të fëmijës së saj, ka qenë në gjendje depresive dhe e papërgjegjshme për veprimet që ka kryer gjatë ditëve të para të muajit qershor dhe jo vetëm. Ky është konkluzioni i tre doktorëve psikiatër, të cilët pasi kanë marrë në pyetje Griseldën në prani edhe të familjarëve të saj, kanë konstatuar se 28-vjeçaria herë pas here ka shfaqur probleme mendore, siç është halucinacioni dhe depresioni. Këtë konkluzion duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka regjistruar procedimin nr. 109 e ka administruar në dosjen hetimore që tashmë është në fazën e analizimit nëse do i referohet Prokurorisë së Kavajës për veprën penale të ‘Kallëzimit të rremë’ apo procedimi do pushohet. Sipas konkluzioneve të dala nga ekspertët psikiatër, ka shumë gjasa që dosja të pushohet përfundimisht, për shkak se dhe ndaj vetë kallëzueses nuk mund të merret asnjë nismë ligjore, në kushtet kur ajo veprimin e ka kryer në gjendje jo të mirë mendore. Një fakt i tillë është vënë re edhe gjatë marrjes në pyetja nga prokurorët. Gjatë deklarimeve të Griselda Zaimit, të dhëna para grupit të prokurorëve, këta të fundit kanë kuptuar se 28-vjeçarja ka shfaqur disa herë probleme mendore, pasi nuk ishte në gjendje të lidhte fjalitë duke folur për çart. Kjo për shkak edhe nga përmasat e mëdha mediatike që ndërmori ngjarja imagjinare, por dhe për halucinacionet e herë pas hershme që 28-vjeçarja krijonte për shtatzëninë e saj imagjinare. Dëshira për të pasur një fëmijë e ka çuar ish-gruan e kryebashkiakut të Kavajës, të mendojë gjatë për të, duke kaluar më pas në çrregullime mendore që kanë sjellë inskenimin historie imagjinare. Kjo më pas ka sjellë dhe pohimin se e kishin rrëmbyer duke e detyruar të lindte fëmijën, që sipas imagjinatës së saj më pas ia kishin rrëmbyer. Kësaj historie i ka besuar plotësisht kunati i saj, vëllai i Elvis Roshit, i cili ka nxituar ta denoncojë krimin në komisariatin e policisë Kavajë.

Depresioni dhe vetëvrasja

Depresioni dhe problemet e theksuara mendore, sipas psikiatërve, vërtetohen edhe nga gjesti i tentativës së vetëvrasjes së 28-vjeçares Griselda Zaimi. Gjatë kryerjes së këtij gjesti, personi nuk mund të jetë në gjendje të lirë të mendojë dhe reflektojë, për shkak të gjendjes së turbullimeve mendore që ai ndodhet. Në këto kushte duket se ka qenë dhe 28-vjeçarja, e cila në tentativë për të vrarë veten, ka hequr dorë prej këtij veprimi, duke sajuar mendime të turbullta për lindjen e fëmijës së saj, që në fakt nuk ekzistonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›