Ekspertizë psiqike babait që vrau djalin në gjumë
Lezhë- Ndue Stoniçi nuk ka pranuar të flasë asgjë më shumë mbi vrasjen e të birit, Nikolin Stoniçi. Ndërkohë që, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se dje 43-vjeçari i vënë nën pranga, ka nisur të shfaqë çrregullime nervore. Kjo ka shtuar edhe dyshimet e policisë së këtij rrethi, për të arrestuarin i cili pritet t’i nënshtrohet ekspertizës së mjekësisë ligjore, për të përcaktuar nëse vrasjen e ka kryer në kushtet e tronditjes psiqike apo me paramendim.
Sipas burimeve të policisë, Ndue Stoniçi ka pranuar vrasjen e të birit që në momentin e arrestimit. Ndërsa gjatë marrjes në pyetje, të njëjtat burime shprehen se ai ka shfaqur çrregullime nervore të vazhdueshme. Policia bëri të ditur se Ndue Stoniçi është shfaqur i penduar për krimin e kryer, ndërsa ka bërë me dije se vrasjen e ka kryer pas një sherri të gjatë me të birin një natë para krimit. E vetmja e re që ai ka thënë gjatë marrjes në pyetje, ditën e djeshme, është fakti “se kishte humbur besimin tek 15-vjeçari Nikolin Stoniçi, për shkak se atë bashkëfshatarët e tij vazhdimisht e akuzonin se kryente vjedhje. Edhe pse Ndue Stoniçi kishte marrë përgjigje negative nga i biri, i cili në asnjë moment nuk kishte pranuar vjedhjet, 43-vjeçarit duket se i ishte “sosur” durimi dhe kishte qëlluar të birin me pushkë gjysmë automatike, duke i shkaktuar vdekjen. Policia shprehet qartësisht se Ndue Stoniçi kishte probleme të çrregullimit nervor, pasi në asnjë rrethanë hetimore, arsyet e tij për vrasjen e të birit nuk përputhen. Kjo ka bërë që Policia e Lezhës t’i drejtohet mjekësisë ligjore në Tiranë, për të kryer edhe ekzaminimin e të arrestuarit e më pas do të vijojnë hetimet e plota. Ndërsa deri tani, policia të vetmen dëshmi të sigurt të saj ka faktin e pranimit të vrasjes nga Ndue Stoniçi, si dhe bllokimin e armës së krimit dhe dëshmive, se i arrestuari është vrasësi i të birit.