Bulqizë, një minator lë grevën e urisë
Një minator ka lënë grevën e urisë mëngjesin e sotëm në minierën e Bulqizës pasi gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar.
Limon Isufi 44 vjeç u largua nga ambientet e grevës në ditën e nëntë të saj duke u dërguar urgjentisht në spitalin rajonal të Bulqizës për të marrë ndihmën mjekësore.
Mësohet gjithashtu se edhe dy grevistë të tjerë kanë probleme shëndetësore por ata kanë refuzuar ta ndërpresin grevën për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkohë pas largimit nga greva të Limon Isufajt 14 minatorët e tjerë edhe pse paraqesin probleme me shëndetin shprehen të vendosur për të vijuar grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ata kërkojnë rritje të pagave në masën 40 për qind, largimin e drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë si dhe uljen e moshës së pensionit për minatorët.
Ndërkohë familjarët e minatorëve ndodhen jashtë ambienteve të grevës të shqetësuar për shëndetin e tyre ndërsa kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë për të zgjidhur situatën.