E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, 9 ditë grevë urie, 2 minatorë dalin, në rrezik jete

BULQIZË-Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 9-të, ndërsa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet. Paraditen e së martës një prej minatorëve ka qënë në gjendje të rëndë shëndetësore ndaj mjekët vendosën nxjerrjen e tij jashtë galerive të Minierës ndersa nje tjeter doli ne oret e mesdites. Liman Isufi prej 9 ditësh në grevë urie ka patur sot paradite probleme me shëndetin për shkak të sëmundjes së diabetit, zemrës dhe problemeve të rënda me shikimin. Aktualisht ai ndodhet ne spital me aparat oksigjeni dhe ne gjendje kritike per jeten. Isufi eshte i dyti minator qe nderpret greven per shkak te kushteve te renda shendetesore.
Kurse në orët e mesditës një tjetër minator la galeritë e minierës së Bulqizës për të njëjtat shkaqe. Gentian Ndreu 29 vjec u nxorr nga 1 400 m thellësi nën tokë ku ndodhej prej 9 ditësh për tu dërguar në spital pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar ndjeshëm prej ditës së djeshme. 29 vjecari u dërgua me urgjencë në spital nga ku do marrë dhe mjekimin e nevojshëm.

Ndërkohë 13 minatorët e tjerë vijojnë të qëndrojnë në 1400 metra nëntokë në Minierë. TVNews24 mëson se shumica e minatorëve kanë probleme me frymëmarrjen dhe shikimin, ndërkohë që po rritet niveli i ujit nga problemet me pompat që ndodhen në brendësi të Minierës.

Sipas informacioneve më të fundit gjendja e minatorëve grevistë është përkeqësuar së tepërmi, por ata refuzojnë ta lënë grevën e urisë. Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj theksoi se përvec Isufit eshte dhe 1 minator tjetër në gjendje shumë të rëndë shendetësore.
Nikollaj shtoi se kjo situatë do të vijojë derisa ACR të realizojë një marrëveshje konkrete me minatorët. Sipas tij, ACR dhe qeveria deri tani kanë qëndruar indiferente ndaj kërkesave të vërteta të minatorëve.

13 minatorët grevistë prej 2 ditësh kanë ndërprerë komunikimin me sipërfaqen ndërsa kanë refuzuar çdo ndihmë mjekësore.

Edhe pse firma austriake ACR pranoi dje që të rrisë pagën 20% dhe të nisë investimet në Minierën e Bulqziës, minatorët grevistë nuk kanë pranuar këto kritere për të dalë nga greva.

Në kërkesat e minatorëve përfshihet rritja e pagave në masën 40 për qind, largimi i drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, përmirësimi i kushteve të sigurisë në punë si dhe ulja e moshës së pensionit për minatorët.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›