Raporti i OKB-së: Shqipëria 1 mld dollarë nga investimet e huaja për 2010
Janë më shumë se 1 mld dollarë të ardhura nga investimet e huaja direkte në Shqipëri për vitin 2010. Kjo shifër e rendit vendin tonë si shtetin e dytë pas Serbisë në rajon, përsa i përket thithjes së investimeve të huaja dhe në vendin e 18 në botë. Është hera e parë që Shqipëria përfiton një rritje të tillë, përsa i përket Investimeve të Huaja Direkte, duke shënuar një shifër prej më shumë se 3 mld dollarë në katër vitet e fundit. Të dhënat janë publikuar nga Raporti i Investimeve Botërore 2011 të prezantuar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD). Prezantimi u bë nga përfaqësuesi për Shqipërinë pranë Konferencës së OKB-së, Astrit Sulstarova. Gjatë prezantimit, Sulstarova theksoi se raporti i këtij viti fokusohet në modelet e biznesit “pa pjesëmarrje në aksione” të prodhimit ndërkombëtar. “Këto modele paraqesin mundësi për ekonomitë në zhvillim dhe në tranzicion, për t’u integruar më shumë në ekonominë botërore, për të forcuar potencialin e kapaciteteve prodhuese vendase si dhe për të përmirësuar konkurrencën ndërkombëtare” - u shpreh Sulstraova. Pavarësisht se të dhënat e raportit botëror për investimet e huaja direkte tregojnë prurjet e këtyre investimeve në rang botëror u rritën në mënyrë modeste, por mbetën 15% nën mesataren e shifrave të para krizës globale financiare, Shqipëria paraqitet me të ardhura rekord nga këto investime. Sipas zv.ministrit të Ekonomisë, ky raport është një dokument shumë i rëndësishëm jo vetëm sepse jep një panoramë shumë të detajuar të zhvillimit ekonomik botëror nën këndvështrimin e Investimeve të Huaja Direkte, por edhe sepse vende të ndryshme kanë mundësi të vlerësojnë pozicionin e tyre kundrejt vendeve të tjera dhe eventualisht të përmirësojnë politikat në thithjen e IHD. Sipas Bozdos, gjetja kryesore e këtij raport është fakti që “Investimet e Huaja Direkte Globale për vitin 2011, akoma nuk kanë arritur nivelet para krizës globale. Arsyeja, u shpreh ai, nuk është për shkak të kufizimit të financimeve, por për shkak të rreziqeve të perceptuara dhe të pasigurisë së kuadrit rregullator që ekziston ende në këtë ekonomi të brishtë botërore. “Në vitin 2010, për herë të parë ekonomitë në zhvillim kanë arritur të thithin afërsisht gjysmën e FDI-ve në shkallë globale. Konstatohet se koorporatat ndërkombëtare po rrisin aktivitetin e tyre në vendet e tranzicionit dhe atyre në zhvillim, duke zgjeruar fushën e investimeve në prodhim dhe bujqësi, shërbimin outsourcing, franchising dhe licensim apo kontratave të menaxhimit. Këto aktivitete relativisht të reja për vendet në tranzicion dhe në zhvillim, krijojnë mundësi për thellimin e integrimit të tyre në ekonominë globale, në fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe në përmirësimin e konkurueshmërisë së tyre” - u shpreh Bozdo. Duke iu referuar raportit, ai tregon se përse dhe si modelet e biznesit si fasonët, nënkontraktimi i shërbimeve, kontraktimi i fermave, franciza dhe licencimi po përdoren gjithnjë e më shumë nga korporatat shumëkombëshe në menaxhimin e zinxhirit global të krijimit të vlerës. Sipas raportit, aktivitetet ndër-kufitare në mbarë botën të lidhura me këto modele biznesi janë domethënëse dhe veçanërisht të rëndësishme për vendet në zhvillim. Kështu në 2010-ën, ato gjeneruan rreth 2 trilion dollarë shitje në botë, punësuan rreth 14-16 milionë punonjës në vendet në zhvillim dhe në disa industri zunë rreth 70-80% të eksporteve botërore. Në konferencën e përbashkët për shtyp merrnin pjesë zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Enno Bozdo, përfaqësuesja e UNDP znj. Zineb Touimi-Benjelloun si dhe Koordinatorë Rezidentë të UN në Shqipëri.