E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostitucioni në Tiranë, përgjimet që zbuluan rrjetin e seksit për 5 mijë lekë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 02-08-2011 13:20

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka shpallur pak ditë më parë fajtorë anëtarët e një rrjeti prostitucioni që vepronte në Tiranë, por edhe në zonën e plazhit të Durrësit. Në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Tiranës, i shpallur më datë 26.07.2011, gjyqtarja Manjola Xhaxho ka dënuar me nga 5 vite e 4 muaj burg Elis Tafën dhe Faket Beganin, si dhe me 2 vite burg Emiljano Rrapushin, të cilët kishin rolin e tutorëve. Ndërsa vajzat që ushtronin prostitucion janë dënuar njëra me 200 mijë lekë dhe dy të tjerat me 133 mijë lekë gjobë. Në vendimin e gjykatës së kryeqytetit është zbardhur rrjeti i prostitucionit, si dhe roli i tutorëve në gjetjen e klientëve. Në këtë vendim thuhet se si rezultat i hetimeve është bërë i mundur kapja e të pandehurave F. C. dhe Zerina M., në ambientet e një hoteli në rrugën Tiranë-Durrës, bashkë me dy shtetas kosovarë, B.H. dhe M.G. Pasi janë kapur nga forcat e policisë, shtetasit kosovarë, të pyetur me cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, kanë sqaruar se njëri prej kosovarëve kishte telefonuar të pandehurën Zerina në telefonin e saj, numër që e kishte ruajtur që prej disa kohësh kur kishte kryer marrëdhënie seksuale me të kundrejt pagesës. Gjatë bisedës që kanë bërë në telefon kanë rënë dakord që e pandehura Zerina të merrte me vete edhe një femër tjetër, sepse M.G. kishte me vete një shokun e tij. Pasi janë takuar të katërt në ambientet e hotelit, kanë rënë dakord që të paguajnë nga 50 euro secili, për të kryer marrëdhënie me të pandehurën Zerina dhe shoqen e saj. Kur kanë shkuar të katërt në një dhomë të këtij hoteli dhe kanë qenë duke diskutuar me njëri-tjetrin në lidhje me pazarin, ka hyrë menjëherë policia, e cila po i mbante në vëzhgim dhe përgjim telefonik të dyshuarat. Gjatë marrjes në pyetje, Zerina sqaron se ushtron prej disa kohësh prostitucion. Këtë gjë, sipas saj, e dinte edhe i dashuri i saj, i pandehuri Emiljano Rapushi, i cili i ka kërkuar të heqë dorë nga këto gjëra. Por ajo vazhdonte të ushtronte prostitucion pa dijeninë e tij. Ndërsa e pandehura e mitur sqaron se ka qenë e fejuar me të pandehurin Elis Tafa prej një viti. Ai nuk e ka detyruar të kryente prostitucion dhe nuk i ka dhënë para. Duke u bazuar në deklarimet e të pandehurave, transkiptet e përgjimeve telefonike, vëzhgimeve, fotografimeve dhe filmimeve të këtyre të pandehurave dhe të pandehurve, Emiljano Rapushi dhe Elis Tafa, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i Emiljano Rapushit dhe Elis Tafës. Sipas të dhënave rezulton se të pandehurit Emiljano Rrapushi dhe Elis Tafa shfrytëzonin për prostitucion dy të ndaluarat, kryesisht duke kryer aktet seksuale me pagesë në hotel “A......” . Paratë e fituara nga ushtrimi prostitucionit administroheshin nga Tafa dhe Rrapushi, të cilët kanë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin. Transporti i femrave apo dhe i klientëve për në hotele të ndryshme të qytetit bëhej nga klientët me mjetet e tyre apo me taksi. Nga ana e policisë janë mbajtur nën mbikëqyrje të fshehtë të pandehurit Emiljano Rrapushi, Zerina M., F. C. dhe Elis Tafa, ku ka rezultuar se e pandehura Zerina i gjente klientët përmes telefonit celular, ku janë konstatuar raste kur ajo ka marrë në punë edhe vajzën e mitur. Ndërsa e pandehura Zerina ka punuar kryesisht vetëm me klientë të identifikuar nga ana e policisë gjyqësore. Në dy raste, ajo ka marrë me vete në punë dhe një shtetase të njohur me emrin Keti, e cila në pamje të parë duket e moshës rreth 17 vjeç, si dhe një femër tjetër rreth 30 vjeç. Nga ana e policisë është bërë i mundur identifikimi i shtetases “Keti”, e cila rezultoi se është e pandehura K. V. Gjatë mbajtjes nën mbikëqyrje dhe kryerjes së veprimeve të tjera procedurale ka rezultuar se të pandehurat Klevis Vrapi, Zerina M. dhe F. C shfrytëzoheshin për qëllime prostitucioni nga të pandehurit Faket Begani, Emiliano Rrapushi dhe Elis Tafa. Në vendimin e gjykatës thuhet se Zerina M., pasi takon një person të cilin e thërriste Ilir, pranë stadiumit “Selman Stermasi” ka marrë 100 euro në dorë prej tij dhe ka shkuar tek hotel “S......” ku qëndroi rreth 30 minuta. Më pas ka dalë dhe ka shkuar tek një lloto tek Rruga -Ura ku qëndronte Emiliano Rrapushi dhe ia ka dhënë në dorë shumën prej 100 eurosh.

Më datë 23.10.2010, të pandehurat Zerina M. dhe vajza e mitur kanë shkuar tek një tjetër hotel dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me pagesë me dy shtetas, me një automjet tip Mercedes me targa DR 7... Në procesverbalin për përgjimin e telekomunikimeve të datës 05.11.2010, në bisedën e zhvilluar midis Zerinës dhe Emilianos, ajo i thotë të lajmërojë vajzën tjetër se ka një punë te Liqeni. Ai përgjigjet se nuk ka telefon, por ajo i kërkon t’i thotë Elisit dhe Emiliano thotë: dakord, do dal ta gjej unë. Në procesverbalin e mbajtjes nën mbikëqyrje të fshehtë, e pandehura K. V., pasi kryen marrëdhënie seksuale me një klient me mjetin tip Mercedes Benz me targa TR 4... N, tek hoteli në autostradën Tiranë-Durrës, doli nga hoteli në këmbë dhe pasi kaloi shinat e “Treshit” u takua me të pandehurin Faket Begani dhe paratë e fituara nga ushtrimi prostitucionit ia dha atij në dorë. Po ashtu, në rastet e mbajtjes nën mbikëqyrje, rezultonte se e pandehura K. V., çdo natë shkonte në banesën e Beganit, prapa shkollës “Kol Jakova”.

Në procesverbalin e përgjimit ambiental, të kryer midis të pandehurit Elis Tafa dhe Emiliano Rrapushi, ndër të tjera midis tyre ka pasur biseda si: Elisi i thotë: “Mos kanë dyshime?”, Emiliano i thotë: “Nuk e di”. Më pas pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë se mos ishin kapur gocat, po ashtu thonë se po nuk ishin gocat prezent nuk kanë se çfarë t’u bëjnë. Të dy vendosin të thonë se i kishin të fejuara. Po ashtu thonë se kur femrat i kanë marrë në telefon i kanë thënë do të sjellë pesëdhjetë mijë lekë, Elisi e pyet nëse kishte gjë tek telefoni. Emiliano, në një moment i thotë Elisit: “Ajo është edhe e vogël more”. Nga përgjimi i numrit të disponuar prej saj, ka rezultuar se tutorët e shtynin atë vazhdimisht të kryente prostitucion, me qëllim përfitimin e të ardhurave të kundraligjshme. Ai i kërkonte K. V. të dilte për “Buti”, një shprehje komunikimi kjo që tregonte kryerjen e një marrëdhënie seksuale. Ndërmjet të pandehurve, Faket Begani dhe K. V. kjo shprehje është përdorur në mënyrë frekuente, para dhe pas çdo marrëdhënie seksuale me pagesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›