Eksploziv banesës së ish-gruas, pranga 57-vjeçarit
TIRANE - Oficerët e Operacioneve Speciale të Policisë së Tiranës, arrestuan dje në një banesë te rruga e “Kavajës”, në kryeqytet, 57-vjeçarin Ahmet Laze, i kërkuar prej rreth dy vitesh për “shkatërrim të pronës me eksploziv”. Gjykata e Vlorës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, në dhjetor të vitit 2007. Sipas burimeve nga policia, më 16 dhjetor të vitit 2007, Ahmet Laze dyshohet se ka vendosur tritol në banesën e ish-gruas dhe dy vajzave, në katin e gjashtë të një pallati në Vlorë, duke dëmtuar edhe dy apartamente të tjera. Ish-bashkëshortja e Lazes, Anxhela Myrtaj, bashkë me dy vajzat e saj, në atë kohë njëra në gjimnaz dhe tjetra në shkollë 9-vjeçare, kanë shpëtuar vetëm me disa gërvishtje të vogla në trup dhe fytyrë. Pas ngjarjes, Myrtaj deklaroi në polici se, i vetmi njeri që akuzonte për shpërthimin ishte ish-bashkëshorti i saj, pasi ai i kishte vendosur edhe dy herë të tjera në vitin 2005 lëndë eksplozive. Fillimisht kur Laze u shoqërua për ngjarjen, policia nuk pati prova të mjaftueshme, të cilat dolën gjatë hetimeve kur ai ishte lënë i lirë.