Po trafikonte dy vajza në Kosovë, kapet në Kukës
KUKES - Një 42-vjeçar është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në vendkalimin kufitar të Morinës, në Kukës, pasi është kapur duke trafikuar dy vajza në drejtim të Kosovës, me qëllim prostitucioni. Gjatë një operacioni të koduar “Tërthorja”, nga Policia e Tiranës dhe ajo e Kukësit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Përparim Kaçit, banues në fshatin Domje të Tiranës. Ai akuzohet për veprën penale të “trafikimit të femrave për qëllime shfrytëzimi prostitucioni”. Burime nga policia thanë se Kaçi akuzohet se në mënyrë sistematike, për rreth 4 muaj, ka shfrytëzuar për prostitucion, në hotele të ndryshme të Tiranës, 18-vjeçaren me iniciale E.S. dhe 22-vjeçaren me iniciale M.M. Ka qenë njëra prej vajzave, E.S., ajo që ka arritur ta denoncojë në polici Përparim Kaçin, 3 muaj më parë, dhe që nga ai moment ai është mbajtur në vëzhgim nga Policia e Tiranës. Burimet sqaruan se dy ditë më parë kishin marrë informacione se 41-vjeçari gjatë natës do trafikonte dy vajzat në drejtim të Kosovës, me qëllim që t’i shfrytëzonte edhe atje, si prostituta. Pas këtij informacioni, një grup efektivash nga Policia e Tiranës dhe të Kukësit kanë mbajtur nën mbikëqyrje makinën që është nisur nga Tirana, në drejtim të vendkalimit kufitar në Morinë, me destinacion Kosovën. Ndërhyrja e policisë ka ardhur teksa makina priste për të kaluar në doganë dhe aty është arrestuar në flagrancë Përparim Kaçi, ndërsa dy vajzat janë shoqëruar për të dhënë deklarime në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Me hetimin dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij, tashmë do të merret Prokuroria e Krimeve të Rënda.