Mehmet Xhelili gjen personazhet e Pirandelos
Pas një kërkimi gati një shekullor, personazhet e Pirandelos kanë gjetur regjisorin Mehmet Xhelili. Gjatë një konference për shtyp, regjisori Xhelili bëri të njohur projektin më të ri, që do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar. Bëhet fjalë pikërisht për një nga veprat më të njohura të dramaturgut italian, Luixhi Pirandelo, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”. Tashmë puna ka nisur dhe nën një skenografi të Genc Shkodranit dhe kostumografi të Anila Zajmit, Xhelili do të vërë përballë gjashtë personazheve mërgimtarë, aktorët e njohur të TK-së, si Fatos Sela, Eftjola Laçkaj, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Olta Dako. Dhe në fund të muajit mars do të shohim nëse personazhet e Pirandelos do të bien dakord me aktorët e përzgjedhur nga regjisori. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shek. XX, ku është përmbledhur gjithë gjenia krijuese i nobelistit Pirandelo. Sipas regjisorit Xhelili, subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Gjithçka zhvillohet në një përballje mes personazheve “të braktisur”, që bartin me vete një dramë të dhimbshme dhe aktorëve. Në skenën e një teatri, ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen thuajse nga asgjë, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij, i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Aktorët dhe regjisorja nuk mund t’i mbajnë të qeshurat. Pas këtij reagimi, personazhet tregojnë për historinë e tyre, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Drama e tyre ka në qendër një familje e përbërë nga Babai, Thjeshtra, Nëna, Biri, Vogëlushja dhe Djaloshi. Nuk është një familje si gjithë të tjerat, por e ngatërruar në një histori tronditëse. Pas rrëfimit regjisorja, e emocionuar vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. Por regjisori kërkon të shohë në këtë vepër edhe problemet e thella sociale, si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj. Por gjithashtu është edhe një vështrim brenda vetes, një vështrim brenda teatrit dhe problematikave të tij.