E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erand Sojli, drejt lirisë në Metropol

 alma mileA do të mjaftonte një vizë për të hyrë në Evropë? A mjafton të kalosh kufijtë për të qenë i lirë? Aktori Erand Sojli na tregon se duhet shumë më shumë se kaq. Si për të treguar që kjo është një dilemë, të cilën e trashëgojmë në kohë, në kapërcyell vitesh, së bashku me regjisorin Robert Budina, aktori Erand Sojli solli për publikun shfaqjen “One man show”, “Drejt lirisë”. Një bashkëbisedim komik, produksion i kompanisë “Era Produktions”, i cili nisi në dy ditët e fundit të vitit 2009, me publikun kryeqytetas në Teatrin e Metropolit, për të vijuar më tej në skenat e Fierit, Korçës, Elbasanit, madje deri në Gjilan. E pas këtij rrugëtimi, shfaqja rikthehet në skenën e Teatrit të Metropolit. Edhe në veprën “Drejt lirisë”, Sojli nuk i largohet profilit që ka krijuar tashmë, duke mos e zhgënjyer pritshmërinë e publikut. Veçse kësaj here, ai e fton publikun të jetë pjesë aktive e spektaklit të vet. Përmes humorit, ai vë gishtin në plagë dhe ngre pyetje që shqetësojnë çdo shqiptar. Sa kushton liria e shqiptarëve? Sa mundemi të përballemi me të gjitha problemet tona, duke u nisur nga vetvetja dhe pastaj duke respektuar lirinë e tjetrit? A mund të integrohemi në Evropë vetëm duke u pajisur me një vizë kalimi? Përgjatë 90 minutave, aktori dhe publiku komunikojnë mbi një temë, e cila lakohet kaq shumë së fundmi dhe përdoret si “armë” sulmi mes dy fronteve të politikanëve shqiptarë. Ai e vesh me humor realitetin e trishtë, me të cilin shqiptarët duhet të përballen për t’u pajisur me një vizë për jashtë shtetit. Janë radhët e gjata të pritjes përpara dyerve të ambasadave, burokracirat pa fund, për të arritur në momentin fatlum të marrjes “plot” të pasaportës. Por nuk mbaron këtu. Një tjetër fazë nis përtej kufijve. Një tjetër botë, një tjetër mentalitet, me të cilin duhet të përshtatesh. Një mori problemesh që vijnë si rrjedhojë e një vetizolimi të gjatë. Një pafundësi ëndrrash, që me shumë gjasa mbeten brenda valixhes së emigrantit, pa mundur të realizohen, megjithë që kufijtë fizikë janë kaluar. Jo më kot, një nga elementët që e shoqëron aktorin në rrëfimin e tij është një valixhe me rrota. Interpretimi i aktorit ndihmohet nga gjetjet regjisoriale nga efektet skenike e vizive, të realizuara nga artisti Artur Muharremi, çka i japin më tepër ritëm shfaqjes. Sojli të rrëmben me rrëfimin e tij të gjallë dhe interaktiv. Siç e ka provuar edhe më parë, ai e ka të lehtë të veshë e të zhveshë karaktere nga më të ndryshmet, të cilët i ngjyros edhe me regjistra të ndryshëm vokalë. Publiku nuk e kupton se si shkojnë 90 minuta, qesh, shijon lojën e aktorit, duartroket e pasi del nga shfaqja merr me vete një shije të mirë. “Drejt lirisë” nuk është sprova e parë e aktorit Erand Sojli në gjininë “One man show”. Tentativa  e tij e parë ka nisur në vitin 2007 me shfaqjen “Një mbrëmje ndryshe me Erandin”, një produksion i Teatrit “Skampa” në Elbasan, i cili kishte në vëmendje robotizimin e artistit, temë e dashur për autorin. Edhe në shfaqjen “Drejt lirisë” heq paralele të rëndësishme mes fatit të artistit dhe mbijetesës së vështirë në një jetë shqiptare, ku sipas vetë Sojlit, interesimi kryesor mbetet politika dhe ata, pushtetarët, aktorët më të paguar. Kudo që ka shkuar, kjo shfaqje është pritur mjaft mirë nga publiku dhe ka marrë vlerësime nga emra të njohur të skenës shqiptare. “Erandi na dha shpresën se edhe arti teatror shqiptar mundet të sjellë nivele të larta artistike në këtë gjini avanard, krejtësisht të panjohur për skenën shqiptare. Na frymëzoi me guximin e tij për të vazhduar në këtë rrugë”, është shprehur për median, aktori i mirënjohur, Enver Petrovci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›