E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autopsia: Vdekja e pacientes në QSUT, s‘mund të shmangej

 Fatos MahmutajDrita Gixhari, pacientja 58-vjeçare që humbi jetën tri ditë më parë në urgjencën e QSUT-së, ka vdekur nga tromboza e arteries meziterike, e cila është një sëmundje vdekjeprurëse. Ky është përfundimi me të cilin ka dalë dje Instituti i Mjekësisë Ligjore, pas kryerjes së autopsisë të viktimës 58-vjeçare. Ekspertët, të cilët kanë këqyrur kufomën e Drita Gixharit, kanë dalë në përfundimin se sëmundja e trombozës i kishte bllokuar asaj gjakun që furnizonte zorrët dhe si pasojë pacientja ka shkuar drejt vdekjes. Burime të tjera nga Mjekësia Ligjore pohuan se fakti nëse mjekët i kanë dhënë apo jo ndihmën e duhur mjekësore, nuk është sqaruar ende pasi kjo është kompetencë e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka marrë në dorë dosjen “Gixhari”, ndërsa ende nuk i është drejtuar IML-së për të sqaruar këtë situatë. Burime jo zyrtare nga ky institucion pohojnë se vdekja e 58-vjeçares ishte e pashmangshme, për shkak të sëmundjes nga e cila vuante. Drita Gixhari humbi jetën në Urgjencën e Qendrës Spitalore të kryeqytetit, paraditen e së dielës, ndërsa familjarët akuzuan mjekët roje të turnit të tretë, natën e së shtunës. Sipas djalit të pacientes, mjekët nuk ishin kujdesur për mjekimin e të sëmurës, madje e kishin neglizhuar atë. Familjarët akuzuan mjekët se i kishin përzënë nga spitali vetëm duke i bërë tre qetësues 58-vjeçares, ndërsa ajo përpëlitej nga dhimbjet në çastet e fundit të jetës. Djali i 58-vjeçares, Bashkim Gixhari, i cili denoncoi në polici bluzat e bardha, pohoi se mjekët ishin sjellë keq me të duke i kërkuar të mos e shqetësonin ndërsa flinin gjatë natës në një zyrë në katin e dytë të urgjencës. Për më tepër, sipas të birit, mjekët e kishin detyruar ta dërgonte nënën në shtëpi, ndërsa pak minuta më vonë ai e kishte kthyer sërish në spital, ku i kishin bërë një qetësues tjetër, pas të cilit ajo ka ndërruar jetë. Të vetmit mjekë që sipas familjarëve ishin sjellë mirë me të sëmurën dhe me ta, ishin mjekët e urgjencës së një spitali tjetër në QSUT, por ata veç këshillave dhe një qetësuesi nuk kishin mundur t’i ndihmonin me gjë tjetër, pasi nuk ishin specialistë për këto lloj sëmundjesh. Aktualisht dy mjekët roje të urgjencës janë pezulluar nga detyra, ndërsa pritet që organi i akuzës i kryeqytetit të zbardhë pozicionin e tyre, pasi tashmë kanë nisur hetimet në ngarkim të tyre nën akuzën e “mosdhënies së ndihmës mjekësore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›