E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi, Putin pret fitoren nën hijen e akuzave për manipulime

Rusët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 450 deputetët e Dumës. Kryeministri Vladimir Putin akuzon mediat ndërkombëtare për fabrikim të akuzave

Moskë - Nën hijen e akuzave për manipulime dhe keqtrajtim të vëzhguesve u zhvilluan dje zgjedhjet në Rusi. 450 deputetët e Dumës do të votohen nga rreth 110 milionë ruse, ndërsa partia e kryeministrit Vladimir Putin ka paralajmëruar fitoren. Megjithatë, sipas të dhënave të partisë “Rusia e Bashkuar”, maxhoranca e dy të tretave shihet me dyshim. Në këto zgjedhje janë në garë shtatë parti. Partitë e opozitës që kanë propaganduar hapur për ndryshimin e pushtetit, janë përjashtuar nga votimi. Vëzhgues perëndimorë shprehin dyshime për zgjedhjet. Zgjedhjet parlamentare për Dumën shihen si hapi i parë për zgjedhjet presidenciale në vitin 2012, ku Putini dhe Medvedevi kanë këmbyer kandidaturat. Rusët u janë drejtuar që në orët e para të ditës së diel kutive të votimit, për të zgjedhur anëtarët e Parlamentit për pesë vitet e ardhshme. Disa aktivistë dhe monitorues të pavarur kanë kritikuar ashpër autoritetet për shkelje të kryera në proces. Grupi i vetëm i pavarur monitorues rus, “Golos” është penguar të jetë i pranishëm në shumë qendra zgjedhore, ndërsa drejtuesja e tij u mbajt për rreth 12 orë në polici, pa asnjë shkak, ku iu konfiskua edhe kompjuteri personal. Mediat e huaja flasin për evidentimin e 5 300 ankesave për shkelje. Nga ana e tij, kryeministri Vladimir Putin, i cili udhëheq partinë më të madhe në vend, “Rusinë e Bashkuar”, akuzoi mediat ndërkombëtare për fabrikimin e gënjeshtrave dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. I pyetur rreth “Golos”, Putin vendosi në dukje se grupimi financohet drejtpërsëdrejti nga fondet e qeverisë amerikane dhe ato të Bashkimit Europian. Votimet, të cilat nisën më herët në Kalinigrad shtrihen në nëntë zona të ndryshme ore, për shkak të madhësisë territoriale të Rusisë. Në disa zona siberiane janë regjistruar radhë votuesish, pavarësisht temperaturave që shkonin deri në -26 gradë Celcius. Sipas sondazheve, pritet të rikonfirmohet pak a shumë e njëjta përbërje e parlamentit, me vetëm disa përfaqësues më shumë nga partitë e vogla. “Rusia e Bashkuar” e Kryeministrit Putin duhet të fitojë përsëri një mazhorancë mbi 60%, e ndjekur nga komunistët e Gennady Ziuganov. Shtatë parti janë lejuar të paraqesin kandidatë në këto votime, nga 11 që e bënë diçka të tillë në vitin 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›