Eksploziv makinës, arrestohet ish futbollisti
Elbasan- Ka hedhur në erë me një sasi eksplozivi makinën e një shtetasi në Elbasan, për motive ende të paqarta.
Policia, në kuadër të një operacioni të koduar “Shkumbini” ka vënë në pranga 28-vjeçarin, Gjergji Gjika ish futbollist i Elbasanit, të akuzuar për vendosjen e lëndës shpërthyese.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit. Sipas hetimeve të para mësohet se lënda shpërthyese është vendosur nga i riu në automjetin me targa EL 5048 B, në pronësi të një shtetasi me iniciale G.M, 53-vjeç
Ende nuk është përcaktuar shkaku i vendosjes së eksplozivit, por policia ka ndaluar të dyshuarin 28-vjeçar. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes makina është dëmtuar konsiderueshëm, ndërkohë që dëmtime ka pësuar edhe një tjetër mjet që ndodhej ngjitur me objektin e sulmit.
“Nga kontrolli i makinës së të arrestuarit janë gjetur mbetje të lëndëve eksplovize dhe copëza të mbështjellej së fitilit”- thonë burimet policore, duke shtuar se po hetohet për të zbardhur shkakun e ngjarjes.