E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet suvaja e tavanit, plagoset mësuesja

RIKONSTRUKSIONI/ Një mësuese u plagos ndërsa jepte mësim në lëndën e matematikës në shkollën 9-vjeçare

KURBIN – Mbetet e plagosur ndërsa jepte mësim një mësuese e klasës së katërt e shkollës 9-vjeçare në Shullaz. Nexhmije Ahmeti u godit në kokë nga suvaja e tavanit të klasës ku po shpjegonte dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërkaq, fëmijët e bankave të para mësohet se u prekën nga rënia e suvasë, por nuk u dëmtuan. Menjëherë pas ngjarjes, u dha urdhri për evakuimin e të gjitha ambienteve shkollore, deri në momentin e mbërritjes së forcave të policisë dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.

Ngjarja

Nexhmije Ahmeti, mësuesja kujdestare e klasës së katërt, po jepte mësim në lëndën e matematikës. Rreth orës 15:00, ndërsa po shpjegonte, një pjesë e suvasë së tavanit të klasës u shkëput dhe e goditi në kokë mësuesen. Menjëherë më pas ajo bërtiti duke u thënë nxënësve të largoheshin nga klasa, ndërsa pas mbërritjes së kolegëve të saj, Ahmeti u dërgua në spital ku dhe mori ndihmën e parë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se rënia e suvasë preku edhe disa nxënës, por fatmirësisht pa lëndime për ta. Nga ana e drejtuesve të shkollës u bë evakuimi i të gjitha klasave pas panikut të krijuar nga ngjarja e ndodhur. Mbërritja e forcave të policisë për të verifikuar shkaqet e incidentit nuk solli asnjë siguri për nxënësit, të cilët thjesht duhet të zhvillojnë mësim në një klasë tjetër, pasi shkolla vazhdon të ketë probleme. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Shullaz të Kurbinit e zhvillojnë mësimin me turne për shkak të mungesës së ambienteve. Kjo është arsyeja që disa klasa e zhvillojnë mësimin pasdite, edhe pse në jo pak raste orari është i papërshtatshëm për ta, pasi disa nxënësve u duhet të ecin gjatë për të shkuar në shtëpi.

Reagimet

Kryetari i Bashkisë së Milotit, Vlash Gega, deklaroi se të paktën prej 15 viteve nuk është ndërhyrë për një rikonstruksion të plotë të kësaj shkolle, edhe pse nevoja është e madhe. Sipas tij, ky është një rast tepër i rrallë, pasi nga verifikimet e kryera nga kjo bashki, por edhe nga specialistë të ndërtimit nuk është përcaktuar ndonjë shkallë rrezikshmërie, ndërsa është kërkuar ndërhyrja në të. Gega deklaroi se shkolla 9-vjeçare në Shullaz është një ndër përparësitë e investimeve që ka kjo bashki në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, por ndërhyrjet në të ishin planifikuar për vitin tjetër. Po sipas tij, ndërhyrja që do të kryhet në këtë shkollë do të jetë edhe për shtimin e ambienteve, kjo duke iu referuar sistemit të ri 9-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›